“Bardh”, të mërkurën në TKK

12 Shkurt, 2018 - 11:52 am

Të mërkurën më 14 shkurt në Teatrin Kombëtar të Kosovës, vjen shfaqja “Bardh” me tekst të Dubravko Mihanovic, e regji të Fatos Berisha, shkruan KultPlus.

Drama ‘Bardh’ e dramaturgut kroat Dubravko Mihanovic është një tregim me dialog minimalistik të dy personazheve, të cilat janë Mjeshtri dhe Ndihmësi i tij që lyejnë me ngjyrë muret e një banese. Ata tentojnë të krijojnë një lloj komunikimi, duke filluar bisedën me temat e përgjithshme, futbolli, telashet familjare, për t’u futur ngadalë në përkufizime për hapësirën që i rrethon dhe botën e tyre.

“Me dialog minimalist dhe jo-pretencioz, kuptojmë rutinën e jetës së tyre, përcjellim një afrim të dy personazheve, një ngjashmëri të tyre duke tentuar të futen në brendësinë e preokupimeve të njëri tjetrit. Përmes marrëdhënies arketip: mësues-nxënës, e dy njerëzve nga margjinat e shoqërisë, vepra sjell një tregim që trajton probleme ‘të mëdha’ shoqërore-sociale”, thuhet në komunikatën dërguar medieve. E cila vazhdon tutje të sqarojë se është pikërisht bota jashtë dritares e cila ua tërheq gjithnjë vëmendjen dhe i jep dimension tjetër botës së tyre të mureve që ngjyrosin dhe që duan t’i japin kuptim.

“Të them të drejtën, unë tentoj që gjithmonë të sjellë risi në projektet e mia, por kjo gjë nuk është e lehtë natyrisht. Në anën tjetër, në vazhdimësi më preokupojnë temat sociale dhe fatet e njerëzve nga margjina e shoqërisë, dhe ky tekst më ka ofruar pikërisht atë. Është një dramë për ‘peshqit e vegjël’”, pati thënë regjisor Berisha në intervistën e tij për KultPlus.

Drama ‘Bardh’ është shpërblyer në vitin 1998 me çmimin vjetor kroat të Ministrisë së kulturës së Kroacisë. Në shfaqje luajnë aktorët: Shpëtim Selmani dhe Tristan Halilaj, skenografia dhe kostumet: Arben Shala, përkthimi nga kroatishtja: Fatos Berisha.

“Bardh”, është premiera e parë e vitit 2018-të që ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Reprizat vijnë më 23 dhe 24 shkurt./ KultPlus.com

Të ngjajshme