Dino Mustafiq po e bën gati shfaqjen ‘Jugori’ në Shkodër

9 Nëntor, 2018 - 2:41 pm

Në teatrin “Migjeni” të qytetit të Shkodrës ka filluar puna për vënien në skenë të dramës “Jugori”. Vepra e autorit gjerman Fassbinder do të vijë premierë në skenën teatrore nga regjisori i njohur Dino Mustafic. Kjo vepër teatrore, që do të vijë në fillim si premierë te teatri “Migjeni” ka angazhuar artistë nga Tirana dhe Shkodra. Në skenë në role do të jenë aktorët e trupës së teatrit “Migjeni”, por dhe më gjerë. Në dramën “Jugori” mes aktorëve përmendim Nikolin Ferketa, Rita Gjeka, Merita Smaja, Jozef Shiroka, Pjerin Vlashi, Linda Jarani, Nensi Bakalli, Simon Shkreli, Tristan Halilaj etj.

Asistent regjisore në dramë është Melisa Becovic, skenograf Sadik Spahija, koreografia Gjergj Prevazi dhe kostumografe Rita Spahija. Për koreografia Gjergj Prevazi ky bashkëpunim me regjisorin Dino Mustafic vjen në vijim dhe të veprave të tjera, që janë vënë në skena të ndryshme në Shqipëri, por dhe në shtete të tjera. Janë rreth 14 bashkëpunime që Prevazi ka me regjisorin e njohur Dino Mustafic, si në Maqedoni, Bosnjë, Kosovë, Serbi, Kroaci dhe Shqipëri. Vepra përcjell mesazhe të forta për shoqërinë tonë. Edhe pse ngjarjet zhvillohen në Gjermani, ajo është aktuale dhe për shtete të tjera. Në dramën e autorit gjerman Fassbinder, që quhet “Jugori”, në qendër të saj është një refugjat. Në vepër është diskriminimi si një nga fenomenet me të cilat po përballet Europa edhe në ditët e sotme.

Për pjesëmarrësit kjo vepër që pritet të jetë në skenë ka lidhje dhe me Shqipërinë, pasi shumë shqiptarë kanë emigruar jashtë. Vepra i vendos ngjarjet në Gjermani, dhe në tërësinë e saj e tregon diskriminimi jo vetëm për arsye të individëve me kombësi të huaj, por dhe për arsye të besimit fetar, individualiteteve të ndryshme kulturore, etj. Drama “Jugori” që muajin që vjen do të jetë premierë në skenën e teatrit të qytetit të Shkorës dhe ka bërë bashkë artistë të njohur, zbërthen krizën e shoqërisë gjermane edhe jo vetëm në raport me të huajt. Kush është i huaji dhe çfarë quajmë të huaj? “Jugori”, sepse nuk ka identitet që vjen nga një shtet i përcaktuar, por që vjen nga jugu i Europës.

Aktiviteti me teatrin

I lindur në Bosnje, Dino Mustafic, e ka lidhur jetën herët me skenën. Ai është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Sarajevë, dhe është drejtor i një festivali ndërkombëtar teatror MESS, që mbahet në Sarajevë prej gati 20 vitesh. Në skenën e Teatrit Kombëtar ai solli një nga veprat më të vështira të Peter Shaffer “Equus”, që autori e shkroi në vitin 1973.

Në qendër të veprës është historia e një psikanalisti, i cili ka një magjepsje patologjike nga kuajt. Historia është e bazuar në një ngjarje të vërtetë, mbi një krim që një 17-vjeçar kishte bërë duke verbuar gjashtë kuaj. Me këtë vepër Shaffer kërkon të ndërtojë arsyet që e çuan adoleshentin drejt një krimi të tillë, por me vështrimin e një psikologu. E vendosur në shumë teatro të botës, kjo dramë konsiderohet si një vepër e karaktereve të forta psikologjike.

Një vit më parë në Tiranë ai solli në skenë edhe shfaqjen “Mamaja dhe fëmijë” shkruar nga Jon Fosse. Por edhe më herët regjisori Mustafic ka bashkëpunuar me teatrot shqiptare. Me Teatrin Shqiptar në Shkup ka ngjitur në skenë shfaqjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vepër e Ismail Kadaresë. Në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës ka ngjitur në skenë veprën teatrore “Rock’N’Roll”. Po ashtu, sërish në bashkëpunim me Teatrin Shqiptar në Shkup, ka sjellë shfaqjen “Opera për tre grosh”. Në aktivitetin e tij regjisori Dino Mustafic, që tashmë ka nisur punën me teatrin e Shkodrës do të sjell premierën teatrore “Jugori”. / Julia Vrapi / KultPlus.com

Të ngjajshme