Diptihi teatror ‘Pa Mua’ shfaq premierën, shpaloset rëndësia e fjalës dhe gojës

10 Shkurt, 2021 - 9:28 am

Suada Qorraj

Skena e vogël e teatrit kombëtar të Kosovës tashmë ishte mbushur me një numër të madh të njerëzve të cilët të entuziasmuar dhe me padurim prisnin që të fillonte premiera e shfaqjes ‘Pa mua’. E vetme në skenë, aktorja Donikë Ahmeti që në fjalët e para të monologut të saj, ktheu publikun nga vetja, dhe theu heshtjen që për pak minuta kishte kapluar sallën, shkruan KultPlus.

‘Një gjë e vogël, e lindur para kohe…gati e pa gojë’, është një nga frazat që shoqëroi shpesh monologun e Donikës, por edhe që shënoi një ndër pikat kyqe të këtij monologu, historinë e gruas që në një mënyrë të papritur e në moshë të shtyrë i kthehet goja.

E ulur në një karrige, teksa shkruante në makinën e saj të shkrimit, nxirrte e shqyente fletën, madje edhe tavolina e saj lëvizte sa në njërën anë, e në tjetrën të skenës. Goja që tashmë ishte kthyer, shpesh herë fliste një gjuhë që kuptohej lehtë, por edhe një të atillë që nuk kuptohej kur dëgjohej.

Historia e gruas që i është kthyer goja, fillon nën petkun e kostumeve të zinj, që më pas vishet nën petkun e bardhë, e të lidhur që i pamundësonte lëvizjen në tërë skenën. Por, nuk përfundon këtu, ngase petku i bardhë zhvishet, e vie prap i ziu, që pas një kohe dhe shënon përfundimin e monologut të Donikës, dhe lojës së saj të mahnitshme të saj por, jo edhe të shfaqjes.

Regjisorja e pjesës së parë të diptihit teatror, Shkurtë Aliu  ishte jashtëzakonisht e kënaqur me lojën e bërë nga personazhi i vetëm i kësaj shfaqjeje. Madje ajo thekson se ishte e shqetësuar nëse salla do të arrinte të zinte brenda publikun që sonte kishte ardhur.

“Procesi për përgatitjen ka zgjatë dy muaj për shkak se kjo është një shfaqje diptihi, pra dypjesëshe pjesa e parë e imja, kurse e dyte e Alban Beqiraj. Unë isha pak e shqetësuar sepse pati një numër të madh të njerëzve dhe nuk e dija në do i zinte salla. Kurse me lojën e aktores, pra Donikës jam jashtëzakonisht e kënaqur”, deklaroi Aliu për KultPlus.

Publiku që për dyzet minuta qëndroj nën heshtjen e magjepsjes u udhëzua për të ecur më pas mu në skenën që minuta më parë kishe marrë jetë, drejt një korridori të ngushtë, që të dërgonte në skenën e madhe të teatrit kombëtar të Kosovës. Diptihi teatror vazhdonte rrjedhën e vet, tashmë me një kastë më të madhe aktorësh.

Kurse petku i bardhë nuk kishte mbetur në skenën e vogël, ai së bashku me rrëfimin e ri, të lidhur po aq ngushtë me të vjetrin, qëndruan pezull, mbi skenë, në ajër, por edhe të shtrirë për tokë. Por, edhe goja ishte ajo që nuk u harrua as këtu.

Pikërisht tre protagonistë ishin mbledhur që të rrëfejnë sipas tyre jetën e një gruaje që nuk është më. Madje ata edhe prezantojnë vetën, mamia që ka asistuar në lindjen e saj e saj, mësuesi i shkollës fillore, që i mësoi Abc-në dhe varrmihësi që i përgatiti banesën e fundit.

Të tre aktorët, Rajmonda Ahmetaj, Afrim Muçaj dhe Labinot Rraci paraqesin në mënyre alternative historinë e kësaj gruaje të munguar, asaj që një ngjarje tronditëse i patë marrë gojën. Dhe vite më pas, pa pritur i erdh sërish fjala dhe ajo e lëshon me ngulm e pa nda.

Krahas lojës së aktorëve publiku kishte përballë edhe një ‘kuti’, që herë luante rolin e ekranit ku shfaqeshin video e zëra, me të cilat përshtatej jo e zakonshmja dhe jo e natyrshmja që mbanë në vete teksti i kësaj pjese teatrale.

Diptiht teatror i luajtur që u luajt përballë publikut është bazuar në pjesën teatrale “Pa mua”, të autorit Samuel Beckett. Mirëpo pjesa e dytë e këtij diptihi ‘Unë Pa Mua’, nuk ishte një interpretim i Beckett, por një adoptim i mënyrës së jetesës së personazheve të tij, të munduar si shumica e njerëzve  dhe po aq këmbëngulës.

Mamia, mësuesi dhe varrmihësi janë banorë të asaj varfërie sublime, me të cilën vetë vepra e Beckett-it e ka dërguar ekspresivitetin në pika, kulmore, enigmatike, sa dhe njerëzore.

Regjisori i pjesës së dytë të diptihit teatror, Alban Beqiraj në një prononcim për KultPlus tha se ndonëse shfaqja ishte planifikuar për vitin që lam pas, si dhe me një orar të çakorduar të provave, ai në fund u nda shumë i kënaqur me shfaqjen.

“Meqenëse shumica e produksioneve që janë planifikuar të shfaqen vitin e kaluar janë shtyrë për fundvit ose sikur shfaqja jonë në fillimin e këtij viti.  Procesi i provave ka qenë më i çakorduar me orar të ndryshëm duke marrë parasysh edhe produksione të tjera. Si ekipë kemi qenë të kompletuar dhe jam ndarë shumë i kënaqur”, pohoi Beqiraj.

Ndërkaq aktori, Afrim Muçaj tha se përgatitja e kësaj shfaqjeje ka qenë mjaft e lodhshme sepse edhe vetë pandemia ka ndikuar në shumë procese. Gjithashtu ai ka shtuar se teksti ka qenë mjaft sfidues, por që rezultati në fund ishte i kënaqshëm.

“Pandemia ka ndikuar sepse ne kemi filluar vitin e kaluar mirëpo për shak të telasheve që i ka shkaktuar na ka vonuar deri më sot. Por me punë intensive kemi arritur që sot ta servojmë para publikut. Ka qenë e vështirë, një punë e lodhshme padyshim sepse ka orë të tëra ku ne prej orës 9 në mëngjes deri në ora 11 të natës kemi qenë në prova, ka qenë një tekst pak ma i çuditshëm sesa ata që jemi mësuar të i shohim, jo shumë i zakonshëm kështu që ka qenë edhe kjo super sfiduese, fillimisht me e mbajt në mend si tekst e pastaj me e interpretu, kështu që jam i lumtur me të thënë të drejtën, realisht jam shumë i lumtur me rezultatin në fund mendoj që ja kemi dalë”, tha Muçaj

Krejt një fund ai pohoi se ndenja e aktorit para një publiku siç ishte ai në këtë shfaqje është çdo herë e jashtëzakonshme.

Edhe për aktorin Labinot Rraci procesi për përgatitjen e kësaj shfaqjeje krahas problemeve të zakonshme, i janë shtuar edhe problemet me pandeminë, që edhe e kanë ngadalësuar më tepër procesin.

Ndërkaq aktorja, Rajmonda Ahmetaj që në shfaqje kishte rolin e mamisë, për KultPlus deklaroi se koha e përgatitjes së shfaqjes nuk ka qenë e mjaftueshme sepse ndryshe prej të tjerave kjo është më eksperimentuese.

“Procesi fatkeqësisht nuk ka qenë i mjaftueshëm sa i përket një shfaqjeje se kjo që është më jo eksperimentale, ndoshta nuk është real natyraliste ashtu siç janë shfaqjet e tjera ku e kanë një dialog më të lehtë për ta mbajtur në mend. Këtu ka qenë një dialog me i koklavitur dhe më i thellë sesa në shfaqjet e zakonshme. Na është dashur më shumë kohë që ta studiojmë tekstin”, tha Ahmetaj.

Diptihi teatror “Pa mua” do të shfaqet edhe nesër në po të njëjtin në teatrin kombëtar të Kosovës, për sjellë po të njëjtat emocione dhe duartrokitje të shumta nga ana e publikut./ KultPlus.com

Të ngjajshme