Dita Botërore e Përkthimit sonte shënohet në Teatrin ‘Oda’

30 Shtator, 2020 - 12:39 pm

Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut do të shënojnë sot Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit në Teatrin Oda. Gjatë kësaj ngjarjeje, do të jenë të ftuar përkthyes të veprave letrare të cilët gjatë viteve kanë kontribuar vyeshëm në përkthimin e veprave të ndryshme në gjuhën shqipe. 

Më 2017, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 30 shtatorin si Ditë Botërore e Përkthimit për të kremtuar rolin e profesionistëve gjuhësorë në lidhjen e kombeve dhe promovimin e paqes, mirëkuptimit dhe zhvillimit.

Për të diskutuar rreth punës së tyre si përkthyes, në studion e Qendrës do të jenë Anton Berishaj, profesor në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prushtinës dhe përkthyes letrar, Gazmend Bërlajolli, përkthyes letrar dhe Qerim Ondozi, përkthyer letrar. Gjatë diskutimit, përmes platformës Zoom do të bashkangjitet edhe Alexandra Channer, përkthyese e veprave shqipe në gjuhën angleze.

Gjatë programit do të lexohen edhe pjesë të përzgjedhura letrare nga aktoret Arta Muçaj dhe Alketa Sylaj.

Ngjarja do të mbahet sot në ora 19:00 dhe do të jetë e hapur për publikun.

Dita Ndërkombëtare e Përkthimit në Prishtinë mbështetet nga programi Kultura për Ndryshim, i cili financohet nga Bashkimi Evropian, menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe-Institut. / KultPlus.com

Të ngjajshme