Drama fituese e Pulitzer inskenohet në Teatrin Metropol

17 Prill, 2018 - 10:30 am

Kanë mbetur edhe tri ditë nga premiera e shfaqjes “Natën, Má”, në Teatrin Metropol në Tiranë.

Shfaqje sjellë dramën fituese të çmimit Pulitzer dhe të çmimit të Teatrit Botëror nga autorja Marsha Norman. Drama “Natën, Má”, vjen si produksion ekskluziv dhe premierë absolute e teatrit Metropol, me regji të Ema Andreas dhe interpretimin e shkëlqyer të Ilire Vincës dhe Egla Cenos, shkruan KultPlus.

Telma, një grua në të 50-at jeton me të bijën 30-vjeçare, Xhesin në një të njëjtën shtëpi. Në një mbrëmje në dukje të zakontë, midis bisedës për manikyrin dhe pazarin e javës, papritur Xhesi zbret nga papafingoja me pistoletën e babait të saj. Ajo me qetësi i komunikon të ëmës një vendim të rëndësishëm që do të ndryshojë jetët e të dyjave. Në orën në vijim zbulohet e jashtëzakonshmja brenda jetës rutinë, urgjentja brenda normalitetit, dëshpërimi brenda dashurisë.

Muzikën për këtë shfaqje e ka bërë Bojken Lako, muzikantë do jenë Endi Aron Cekani, Rei Kondakçiu, skenografina e shfaqjes është realizuar nga Enjo Shehi kurse identiteti vizual Vincenzo Giannattasio.

Shfaqja do të ngjitet në skenë në datat 20 prill – 6 maj, në ora 19:00 në Teatrin Metropol./ KultPlus.com

Të ngjajshme