“Totem dhe Tabu” nesër premierë në TKK

17 Maj, 2021 - 10:33 am

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet prezanton premierën e shfaqjes dans teatër “Totem dhe Tabu” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me koreografi nga Robert Nuha dhe dramaturgji të Zana Hoxhës, të martën me 18 maj, në ora 19:30, përcjellë KultPlus.

“Totem dhe Tabu”, është tandem eksperimental i dansit kontemporan dhe tekstit minimal që mundëson reflektimin e audiencës lidhur me çështjet e ngritura të cilat ngërthejnë jetën e tyre dhe mentalitetin kosovar.

Shfaqja ngrehë pikëpyetje për situata dhe shqetësime të mëdha shoqërore, trauma, ndikimin e pandemisë dhe hipokrizinë shoqërore por pa arritur në konkludime dhe me qëllim që të prekë në thellësinë e përjetimeve, emocioneve dhe ngjarjeve të cilat vijnë në formë imazhesh dhe monologjeve.

Pyetjet, reflektimet, çështjet dhe temat që trajtohen mbeten të izoluara brenda “Kornizave” individuale dhe kolektive që janë Tabu për shoqërinë apo nuk arrijnë të depërtojnë në diskursin publik.

Në këtë shfaqje luajnë trupa artistike e Artpolis me aktorët: Donikë Ahmeti, Qëndresa Kajtazi, Ismail Kasumi , Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli, Blerta Gubetini.

Shfaqja vjen e përkrahur nga cfd, Agjensia për Barazi GJinore dhe Teatri Kombëtar i Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme