Drama “Gishti” nga Doruntina Basha edhe në Itali

12 Maj, 2019 - 7:31 pm

Në kuadët të Festivalit Leonardo Lidi në Torino të Italisë do të prezantohet edhe shfaqja “Gishti” i dramaturges Doruntina Basha, por kësaj radhe do të vjen me regji të Leonardo Lidi, shkruan KultPlus. Kjo shfaqje në këtë festival do të prezantohet më 22 qershor dhe është përkthyer nga Elisa Copetti.

 “Gishti” tregon historinë e dy grave, vjehrrën dhe nusen, të cilat edhe dhjetë vite pas zhdukjes së burrave të tyre në luftën e Kosovës, jetojnë së bashku, të paafta për t’u vajtuar siç duhet të vdekurit e tyre, dhe të vazhdojnë me jetën.

Zoe dhe Shkurta jetojnë një jetë që është e mbushur me emocione të forta: dashuri, urrejtje, lot, të qeshura dhe mbi të cilën është mbizotëruar përjetësisht fryma e atyre që nuk janë me. Një dramë që fillon nga një gisht i prerë, duke përgatitur bukën për pritjen e dy burrave të shtëpisë, të cilët para dymbëdhjetë vjetëve dolën nga shtëpia për të mos u kthyer kurrë më.

Një nënë e cila nuk pajtohet asnjëherë me fatin e keq të tyre, gjersa nusja apo siç e thërriste ajo Shkurta, më në fund arrin ta kuptojë se ata nuk do të kthehen, e që ato duhet të pajtohen me fatin që është shkruar për të dyja , por jo zemra e një nëne nuk mund ti bëjë ballë asaj.

 “Gishti” kështu bëhet tregimi për një vetmi të madhe, por edhe për shpresën, për ditët që rrjedhin ngadalë, fuqinë e fantazisë dhe bindjes, dhe ndrydhjes së pashmangshme të jetës së përditshme në çdo shoqëri post-traumatike. Shfaqja “Gishti” është prezantuar në shumë teatro, duke përfshirë edhe ato ndërkombëtare. / KultPlus.com

Të ngjajshme