Neziraj letër të hapur MKRS-së: Qendra Multimedia refuzon të bëhet pjesë e një procesi të komprometuar të ndarjes së fondeve publike

15 Korrik, 2021 - 6:45 pm

Dje Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar listën finale ku mes projekteve të financuara, sërish nuk është “Balkan Bordello”, bashkëprodhimi i vetëm teatror ndërkombëtar për vitin 2021. Andaj, Qendra Multimedia ka reaguar duke theksuar se refuzon të ketë të bëj me një ministri kulture si kjo, e cila ia shpërfillë me kaq arrogancë aktivitetin e kredibilitetin e saj gati 20 vjeçare në fushën e teatrit e letërsisë, përcjellë KultPlus.

Kjo është bërë e ditur nga Jeton Neziraj me anë të një postimi në Facebook i cili ka shpërndarë letrën e hapur ndaj Ministrisë së Kulturës.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të tyre:

Letër e hapur Ministrisë së Kulturës

5 mijë euro! Jo faleminderit, po ua kthejmë mbrapsht me neveri!

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ditë më parë bëri publike listën preliminare të projekteve të mbështetura kulturore për vitin 2021. Qendrës Multimedia, kjo ministri ia kishte ndarë vetëm 5,000 euro për edicionin e e 11 të polip – Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë që mbahet në Prishtinë, ndërkohë që projekti ynë i rëndësishëm teatror “Balkan Bordello” nuk ishte në atë listë. Duhet ta nënvizojmë: ky është bashkëprodhimi i vetëm teatror ndërkombëtar për vitin 2021. Pra, edhe një herë: i vetmi bashkëprodhim ndërkombëtar në fushën e teatrit. Bashkëprodhim i Qendrës Multimedia nga Prishtina dhe La MaMa-s nga Nju Jorku, që është njëri prej teatrove më të njohur në botë.

E shfrytëzuam hapësirën ligjore dhe u ankuam në adresë të MKRS-së, duke shpresuar që gabimin do ta korrigjojnë. Madje duke qenë të vetëdijshëm se ata mund të kapeshin për ‘kritereve ligjore e administrative’, ne në letrën tonë, u dhamë shembuj se ata në listën e publikuar preliminare të projekteve të mbështetura, nuk kishin qenë strikt në përfilljen e këtyre kritereve ‘ligjore e administrative’.

Gjithsesi, dje MKRS paska publikuar listën finale. Mes projekteve të financuara, sërish nuk është “Balkan Bordello”. Kjo na mbushë me mllef e neveri. Por në të njëjtën kohë, na mbushë mend dhe na kthjellë, se në Ministrinë e Kulturës në Kosovë nuk ka ndodhur kurrfarë ndryshimi. Ajo Ministri vazhdon të prodhojë politika kulturore krahinore e lokaliste, politika të akraballëkut (që ndonjëherë peshojnë deri edhe 15,000 euro) dhe se kriteret e deri-djeshme për njohje politike – si parakusht për qasje në fondet publike, vazhdojnë të jenë kritere edhe të sotme.

Qendra Multimedia refuzon të bëhet pjesë e një procesi të komprometuar të ndarjes së fondeve publike. Dhe refuzon të ketë të bëj me një ministri kulture si kjo, e cila ia shpërfillë me kaq arrogancë aktivitetin e kredibilitetin e saj gati 20 vjeçare në fushën e teatrit e letërsisë.

Si rrjedhojë, 5,000 të cilat MKRS ia ka ndarë Qendrës Multimedia, po i kthejmë mbrapsht – MKRS mund t’ia japë Manifestës së cilës, në kurriz të skenës kulturore ia ka ndarë 700,000 euro, pra me këtë ‘donacion’ tonin, le t’i bëhen 705,000. / KultPlus.com

https://qendra.org/leter-e-hapur-ministrise-se-kultures/?fbclid=IwAR1GWYcAKNoTfnw-LUY1v6fJx_yADN09gAlT_qM7Gvoyxg3org0ZkbopBuA

Të fundit

Të ngjajshme