18 Korrik, 2025 - 2:45 pm
“Si ta doni” nga Shakespeare, vjen në skenën shqiptare si pjesë e sezonit të ri të Teatrit Kombëtar. Komedia romantike “Si ta doni”(As You Like It), një nga veprat më të dashura të William Shakespeare, do të jetë pjesë e sezonit të ri artistik në Teatrin Kombëtar, nën regjinë e John Blondell. Kjo vepër që feston dashurinë, identitetin dhe lirinë, vjen në skenë me një ekip të zgjedhur aktorësh.
Në role do të interpretojnë Genti Deçka, Lulzim Zeqja, Laert Vasili, Luli Bitri, Elia Zaharia, Donald Shehu, Dritan Boriçi, Besmir Bitraku, Flaura Kureta, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Ilirda Bejleri dhe Krist Lleshi, përcjellë KultPlus.
Shfaqja ndjek historinë e Rosalindës, e cila detyrohet të largohet nga oborri për shkak të persekutimit të xhaxhait të saj dhe nis një udhëtim në Pyllin e Ardenit, së bashku me kushërirën e saj Celia. Aty, ndërsa kërkojnë lirinë dhe dashurinë, takojnë plot karaktere unike dhe të paharrueshme, duke përfshirë edhe Jaquesin filozofik dhe melankolik, i cili sjell në skenë një nga monologët më të njohur të Shakespeare-it: “Gjithë bota është një skenë”.
Shkruar rreth vitit 1599 dhe e vendosur për herë të parë në skenë në “Wilton House” në vitin 1603, kjo komedi ka njohur qindra adaptime. Në versionin e saj më të fundit, publiku shqiptar do të ketë mundësinë ta përjetojë këtë klasik në një interpretim të gjallë dhe plot emocion./KultPlus.com