Rëndësia e edukimit teatror në edukimin e hershëm

15 Prill, 2022 - 10:57 pm

Në kuadër të projektit dhe fushatës sonë të shoqëruar me një film dokumentar “Edukimi i Hershëm” si dhe “Forumi II”, temat: Drama/Teatri si pjesë e integruar në edukimin e hershëm & edukimin prindëror, ne si MUTE Foundation vazhdojmë perpjekjet tona në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe lokale në avancimin e edukimit teatror jo vetem si një aktivitet ekstra-kurrikular, prandaj:

Për të ndërtuar një ekosistem të shëndetshëm kulturor dhe për të avancuar standardin etik e moral, mendoj se mënyra më e mirë është të fillohet nga edukimi i hershëm përmes teatrit i cili nuk është vetëm një event siperfaqesor, por është vetë morali i një shoqërie.

Si një vend laik i cili mbështetet në mos shkaktimin e vuajtjeve të të tjerëve dhe përkushtimin ndaj të vërtetës dhe dhembshurisë, edukimi i hershem përmes teatrit është tempulli ideal i ushtrimit të virtyteve të njeriut dhe luan një rol kyç në skalitjen e pikëpamjeve njerëzore.

Përtej feve dhe ideologjive, teatri është paradigmë ideale në ndërtimin e një identiteti kulturor, si art komplementar!

Është e mirëqenë botërisht tashmë, se edukimi i hershëm dhe edukimi përmes lojës dhe teatrit si proces konsistent, afekton direkt dhe indirekt ngritjen intelektuale dhe kulturore të fëmijëve duke u bërë kështu një mbështetje e qëndrueshme në rritjen personale dhe profesionale të tyre në të ardhmen dhe të mësuarit e ushtrimit të kontrollimit të një partiture të gjerë emocionale per ta.

Ne teatër fëmijët mësojnë letërsinë, poezinë, historinë, historinë e kostumeve, dizajnin, ndriçimin etj. Të gjitha këto ata i mësojnë në kontekstin shkollor. Teatri i mirëfilltë i çon fëmijët në një dimension tjetër, i bën ata ta përjetojnë magjinë qe u jep teatri, i bën më të afërt dhe më të dashur me njëri-tjetrin, ata mësojnë të dëgjojnë tjetrin, e fusin veten në rolet e protagonistëve në skenë , u krijon vetëbesim duke parë që shqetësimet e tyre të moshës i kanë edhe fëmijët e tjerë dhe kur ato zgjidhen ne skenë me një mësim të mesuar, edhe fëmijët në audiencë e ndjejnë të njëjtën gjë. Teatri është terapi kunder stresit të fëmijeve.

Prandaj teatri/drama nuk ka nevojë të presë për t’u integruar në kurrikulë si lëndë standarde, sepse kjo kërkon një kohë dhe është një proces pak me i gjatë, e që mund të ndodhë në një fazë të mëpastajshme, por ai mund  të përjetohet dhe ne këtë po  mundohemi ta bejme, që fëmijët të shkojnë në teatër!

Përmes teatrit ne bashkë me partnerët tanë synojmë të bëjmë ndryshime të vogla në rritje, duke e bërë atë të qasshëm për fëmijët! Mute Foundation ka një plan të vetëdijshëm se si të bëhet kjo në një afat optimal, sigurisht që në plan të parë duhet të ketë një vullnet politik e besoj se per këtë kemi indicje reale.

Nga organizata prestigjioze ndërkombëtare si Forumi Ekonomik Boteror(ËEF), është cilësuar se nëse fëmijet tanë në të ardhmën pretendojnë të gjejnë një vend pune, ata duhet të stimulohen të orientohen nga arti dhe teknologjia, si opozite e njëra-tjetrës.

Sot femijët e kanë shumë të lehtë qasjen në teknologji ose qind për qind, ndërsa qasjen në teatër e kanë pothuajse zero për qind. Është e vërtetë se teatri i mirëfilltë është i kushtueshëm sepse çdo shfaqje ndodhë në kohë reale, por këtu fshihen edhe benefitet qe ai sjellë te fëmijët, ai ju jep një standard të patejkalueshëm: prezencën në kohë reale me shumë fëmijë, me aktorë qe ju flasin direkt atyre, e ju falin emocion, buzëqeshje, pikëllim, lotë, kujdes, dashuri e qindra ngjyra emocionesh që mund t’i perjetosh ndoshta vetëm në teatër.

Teatri i bën fëmijët të bukur! Prandaj le të mos ua mohojmë,  këtë të drejtë!

Florie Bajoku – MUTE Foundation./ KultPlus.com

Të ngjajshme