Dy aktore serbe shpalosën rrugëtimin e tyre në Kosovo Theater Showcase

28 Tetor, 2020 - 3:21 pm

Medina Pasoma

Ulëset e teatrit Oda u mbushën me praninë e audiencës të cilët u bashkuan për të dëgjuar rrugëtimin artistik dhe pikëpamjet e aktoreve serbe Mirjana Karanoviq dha Jasna Gjuriqiq në kuadër të edicionit të tretë të Kosovo Theater Showcase, shkruan KultPlus.

Me një karrierë të bujshme dhe të njohur në Ballkan, aktoret filluan diskutimin e tyre nën moderimin e gazetarit Agron Bajrami nën organizimin e Qendrës Multimedia.

Mirjana Karanoviq është njëra ndër aktoret më të famshme të teatrit dhe kinematografisë post-jugosllave, aktiviste e njohur për të drejtat e njeriut dhe kritikuese e luftërave në Jugosllavi. Në anën tjetër Jasna Gjuriqiq është aktore e njohur serbe e cila në vitin 2010 fitoi çmimin për aktoren më të mirë në festivalin e filmit në Locarno, Zvicër.

Rrëfimin e saj së pari e shpalosi Mirjana Karanoviq, e cila theksoj se tanimë vizionet e saj janë ndërtuar mbi një bazë reale dhe jo me gjëra të paarritshme. Në anën tjetër kur ajo flet për aktrimin, nuk mund ta quaj atë “punë”.

“Është nevojë e madhe e brendshme që unë të shprehem në skenë dhe në 10 vitet e fundit jam fokusuar më shumë në krijimtarinë time, në atë se çfarë do të lë pas si gjurmë, si një udhërrëfyes për disa”, tha Mirjana.

Aktorja Karanoviq sheh ndryshime në fushën e teatrit, përderisa më parë ai ka qenë institucioni kulturor që ka trajtuar temat e mëdha sociale dhe kundërshtime ndaj sistemit, sot e tëra përqendrohet në tema subjektive.

“Sot shfaqja teatrore është shumë intime për shkak se ekziston trendi i fuqishëm që gjithçka të shkoj sipërfaqësisht. Temat e rëndësishme mbulohen me pëlhurat e maskuara, të cilat janë plotë lecka të vogla”, shton Mirjana Karanoviq.

Mirëpo, pavarësisht këtij roli të evoluar, ajo beson se themeli i teatrit kurrë nuk do të zhduket.

“Kishte periudha të tmerrshme në historinë njerëzore, luftëra, shkatërrime, murtaja, kolera. Por, teatri në të gjitha këto mbijetoj dhe mendoj që nuk do të zhduket kurrë sepse është një gjë e gjallë”, thekson aktorja që kaloj shumë vite në teatër.

Në anën tjetër ajo është kundër ekskluzivitetit dhe banalitetit që sot janë aktuale nëpër botë. Pikërisht formulimi i pyetjeve të pavenda dhe mos interesimi për art të mirëfilltë është arsyeja pse ajo qysh moti nuk pranon të intervistohet.

Tutje, Karanoviq tregon se do të filloj me xhirimin e filmit të dytë që ka autorësinë e saj, e për të cilin ndjehet e lumtur. Ndërkaq për planet e së ardhmes, ajo mendon se njerëzit shumë shpesh vetëm duhet të ndjehen mirë dhe të ëndërrojnë pa vepruar. Mirëpo, për të mbetet e rëndësishme të dihet se çka ëndërrojmë, sa është reale dhe si do të realizohet ajo.

“Planifikimi i të ardhmes nuk përfshinë gjithmonë njerëzit e mençur, por atë e bëjnë të tjerë që gënjejnë duke thënë se po punojnë për të mirën e përgjithshme dhe për një të ardhme fenomenale, vetëm nëse shkoni pas tyre. Jemi të robëruar brenda vizioneve, “profetëve” të rrejshëm, me vizione sipërfaqësore”, shprehet aktorja Mirjana, e cila ka dyshime se si do të duket e ardhmja.

Mirëpo, në mes të konfuzioneve për të ardhmen dhe jetesës në të tashmen, hapësira e saj e lirë mbetet arti, përkatësisht teatri.

“Është hapësirë e lirisë edhe para se të hyj në të, sepse unë bëj zgjedhje, me kë dhe çfarë do të punoj prandaj në këtë hapësirë fizike hyj e shtendosur nëse duhej apo nuk duhej. Ajo që i kam thënë vetes është se s’do të bëj gjëra për dikë tjetër, gjithmonë di pse bëj diçka”, shprehet Mirjana Karanoviq.

Përgjatë karrierës, ajo thotë se është ndjerë krenare, e turpëruar, ka rënë dhe është ngritur mirëpo, kur rikthehet pas dhe e sheh gjithë rrugëtimin, e vetmja gjë të cilën do ta ndërronte mbetet mësimi i dy gjuhëve të huaja. Ndërkaq, ajo nuk është e penduar as pse ka jetësuar role si viktimë e regjimit serb, për të cilën ka marrë shumë kritika dhe sharje nga populli i saj.

“Ata që urrejnë bëjnë zhurmë dhe për këtë ju mendoni se çfarë po ndodh në xhungël. Por, janë vetëm disa majmunë që kërcejnë në degë. Do të më pëlqente të mos ekzistonin ato njolla, vula, etiketime që ia bëjmë dikujt në ballë por s’mund ta ndërroj”, shprehet ajo për fyerjet që ka marrë ndër vite.

Në anë tjetër, aktorja Jasna Gjuriqiq nis rrëfimin e saj duke thënë se ka filluar të aktroj në vitet e 90-ta, atëherë kur kishte lindur vajzën e saj dhe rrugëdalja e vetme për të kishte qenë skena.

“Më kanë mësuar në shkollë se gjithçka duhesh ta thuash në skenë, përmes rolit ta tregosh qëndrimin tënd. Skena teatrore për mua është një hapësirë tejet serioze sikurse filmi, ndërkaq aktori është një qenie e përgjegjshme që skenën duhet ta trajtoj si hapësirë publike për të kumtuar diçka”, thotë Jasna Gjuriq.

Tutje Jasna shprehet se ndjehet e shqetësuar nga fakti se që nga shpërbërja e Jugosllavisë aktorët detyrohen të punojnë punë jashtë artit, nëpërmjet politikës apo hapjes së ndonjë biznesi, në tentim të mbulimit financiar.

Mirëpo, pavarësisht vështirësive materiale që ka ky profesion, në fund të fundit arti mbetet vendtakimi i popujve. Andaj për aktoren Gjuriq, vizita e vendeve të ndryshme duke jetësuar role mbetet një kujtim shumë i mirë.

“Te publiku shoh vetëm një gëzim të madh sepse më duket që gjithsecili jemi të vegjël. Në brendi mërzitemi shpejt dhe na duhet një energji, njerëz e fytyra të reja. Jemi fqinj të parë dhe kjo më duket e mrekullueshme”, shprehet Jasna Gjuriq.

E ardhmja për aktoren serbe mbetet diçka që duhet ta ndërtoj gjithsecili, të ndryshoj diçka mirëpo, kjo nuk do të thotë të ndikoj mbi tërë shoqërinë.

“Ajo që ia kam vënë vetes detyrë qe 5 vite është ta jetoj momentin. Jeta me projeksionet e vetes në të ardhmen sjell vetëm të këqija dhe ta komplikon jetën”, shprehet Jasna.

Për të më e rëndësishme mbetet e sotmja, sesa e nesërmja.

Në fund publiku pati rastin t’i bëj pyetje dy aktoreve serbe. Diskutimi është organizuar përbrenda projektit Reconnection 2.0 i cili menaxhohet e financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia (Prishtinë) dhe Heartefact Fund (Beograd)./KultPlus.com

Të ngjajshme