“E mjerueshme ngrehina e godinës, domosdoshmëri një teatër i ri”

2 Gusht, 2019 - 6:00 pm

Artisti i përndjekur nga regjimi komunist, Ardian Cerga mbështet shembjen e ngrehinës ekzistuese dhe ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

“Domosdoshmëria e një teatri të ri është evidente! Po njësoj është evident fakti i gjendjes dhe strukturës së mjerueshme të ngrehinës së teatrit, e cila për fat të keq nuk afron më asgjë përveç një lloj nostalgjie paksa naive, meqë në skenën e këtij teatri kanë interpretuar kollosët e artit skenik. Kjo më sjell në mendje polemikën e një viti më parë për ndalimin e filmit shqiptar, ku shumë pak u prononcuan në mbrojtje të figurave të shquara të ekranit, të cilat sot po trajtohen sikur do të humbasin vlerën e tyre po të shemben muret e ngrehinës teatër… Qesharake!”, shprehet ai.

“Si qytetar dhe si aktor shqiptar, e shikoj të domosdoshëm ndërtimin e një teatri të ri me të gjithë parametrat që koha kërkon; gjithmonë në vendin ekzistues dhe në territorin e tij natyrisht! Ndërsa për respekt të figurave të shquara mund të krijohet brenda ambientit të teatrit të ri një hapësirë muzeale, ku të nderohen siç duhet dhe jo kështu si sot, që vetëm përdoren si alibi kundër teatrit të ri! Një teatër i ri do të thotë edhe një mentalitet i ri…”, deklaron artisti Cerga.

Duke sjell në vëmendje opinionin e artistit Cerga, kryeministri Edi Rama shprehet se “Ardian Cerga u shfaq në vëmendjen e publikut, si një profil i ri dhe jashtë kornizës së asaj kohe, kur pati fajin se i ngjante më shumë gansterëve që interpretonte Alen Deloni, se sa partizanëve apo ballistëve të Realizmit Socialist. E trajtuan si një artist të degjeneruar dhe e degdisën në Shtëpinë e Kulturës së Beratit, pa të drejtë aktrimi!”.

Po ashtu, kryeministri thekson se “edhe Ardian Cerga e ka një opinion për çështjen e teatrit dhe si të gjithë ata që duan teatrin përpara politikës dhe nuk kapen pas politikës për të bërë teatër, ai mbështet shembjen e ngrehinës ekzistuese dhe ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, ne të njëjtin territor”.Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Të ngjajshme