Ema Andrea prezanton nismën kundër harresës të së shkuarës

5 Korrik, 2018 - 8:30 pm

MEMO një projekt ku janë përfshirë emra të njohur të shoqërisë civile apo kulturës u prezantua mbrëmë në një takim të hapur me intelektualë, artistë, gazetarë, përfaqësues të trupit diplomatik, të rinj dhe mbështetës të saj, në mjediset e Muzeut “Gjethi”. Nisma e ndërmarrë nga MEMO synon ballafaqimin me të shkuarën komuniste, duke vënë në qendër të vërtetën, të rrëfyer në vetë të parë nga personazhe publikë dhe njerëz të zakonshëm.

Historitë kanë ardhur deri në ditët tona përmes dëshmive të të mbijetuarve, të dëshmitarëve okularë të krimeve dhe vullnetit për ta dokumentuar të shkuarën, në respekt të sakrificës dhe triumfit të dinjitetit njerëzor.

Në takimin e parë të hapur të MEMO-s, nisma u prezantua nga z. Gjon Radovani, koordinator dhe Ema Andrea, autore e projektit. Paralelisht me arsyet që shpjeguan videot mbi histori të vërteta, – ku grimca tragjike jetësh të shkallmuara nga dhuna përmblidhen në disa sekonda, – u paraqitën linjat sipas të cilave MEMO synon të zhvillojë veprimtarinë e vet në ditët në vijim. Prej rreth një muaji MEMO-s i janë bashkuar me dhjetëra mijëra mbështetës të cilët, me disa qindra mijëra klikime, kanë reaguar, shkruar e shpërndarë mesazhet që i flasin me zë të lartë shoqërisë së sotme dhe asaj që synojmë të ndërtojmë nesër.

Kjo qasje e drejtpërdrejtë e ka rritur ndjeshëm numrin e ndjekësve dhe bashkëpunëtorëve që i janë shtuar rrjetit të gjerë të intelektualëve, artistëve, shkrimtarëve, gazetarëve, aktivistëve të shoqërisë civile, të rinjve dhe të mbijetuarve të diktaturës apo trashëgimtarëve të tyre. Kësisoj, shqiptarë dhe të huaj brenda e jashtë vendit, të moshave dhe shtresave të ndryshme shoqërore, të prekur apo jo nga sistemi komunist, por të vetëdijshëm për rolin që mund të luajnë në shoqëri me qëndrimin e tyre të qartë, të dukshëm dhe të argumentuar ndaj errësirës, frustrimit apo padrejtësisë, janë treguar të gatshëm t’i bashkohen nismës dhe ta zhvillojnë më tej atë. Mes të ftuarve të pranishëm, znj. Romana Vlahutin u shpreh për nevojën që ka shoqëria shqiptare për t’u shëruar, që të mund të bëjë përpara, duke qenë besnike e së vërtetës. Vdekja e dytë e viktimave është harresa.

MEMO synon të krijojë hapësirat e nevojshme për dialog të thelluar mbi të shkuarën duke hedhur dritë në të, për ta njohur historinë dhe për të mësuar prej saj. Njohja, pranimi dhe dënimi pa kushte, pa hezitim, pa rezerva i së keqes që vret, çnjerëzon dhe shkatërron lirinë e dinjitetin e çdo qenieje njerëzore, pavarësisht bindjes politike, gjinisë, shtresës shoqërore, cilësive fizike, etj., është shansi që i jepet shoqërisë së sotme shqiptare për të reflektuar, reaguar dhe hedhur hapa të sigurt drejt së ardhmes europiane. Për këtë, MEMO është e hapur të bashkëpunojë me të gjithë aktorët që veprojnë në këtë fushë. /KultPlus.com

Të ngjajshme