Eno Peçi një ditë para premierës, i fascinuar me profesionalizmin e balerinëve, i tmerruar me kushtet ku punojnë

4 Dhjetor, 2019 - 3:39 pm

Bujar Meholli

Premiera e shfaqjes së balerinit dhe koreografit të njohur Eno Peçi “Exil” do të shpaloset nesër, dhe për të folur rreth saj sot është mbajtur një konferencë për medie në ambientet e Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Situata socio-ekonomike në vendin tonë është mjaft e rënduar dhe kohët e fundit kemi qenë dëshmitarë të braktisjeve të mëdha të vendit, kryesisht nga të rinjtë, dhe me synimin e njëjtë, një perspektivë në vendet tjera.

Dukuritë negative u kanë shërbyer artistëve për t’i përdorur në veprat e tyre artistike, në mënyrë që t’i sensibilizojnë njerëzit që të përballen me problemet deri në zgjidhjen e tyre.

Në skenën e Teatrit Kombëtar së fundmi ka zbarkuar balerini dhe koreografi i njohur nga Shqipëria Eno Peçi i cili ka kohë që jeton dhe vepron në Vjenë, ndërsa lëviz nëpër teatrot më të njohura botërore me shfaqjet e tij.

Qëndrimi në Kosovë për të është eksperiencë e veçantë, sikurse edhe për balerinët të cilët kanë pasur rastin të mësojnë dhe të bashkëpunojnë me të.

Në konferencën e sotme përveç Peçit ishin prezent edhe tre balerinë të cilët folën para audiencës për shfaqjen dhe bashkëpunimin me koreografin Peçi.

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të BKK-së Kreshnik Musolli hapi konferencën duke dhënë disa detaje për shfaqjen, teksa falënderoi bashkëpunëtorët për realizimin e “Exilit”. Pastaj prezantoi autorin Peçi, i cili e tregoi në pika të shkurtra historinë e shfaqjes.

“Shfaqja quhet ‘Exil’, dhe historia bazohet në vitet ’97 dhe ‘98 në ngjarjet që kanë ndodhur në Shqipëri. Por kjo nuk është autobiografia ime.

Janë dy familje të ndryshme me probleme për shkak të situatës socio-politike, janë shqetësimet dhe përpjekjet për t’i dërguar fëmijët diku tjetër ku kanë një të ardhme më të mirë” shpjegoi ai.

“Bashkëpunimi me balerinët kosovarë ka qenë fantastik, për ftesën që më bëri Teatri unë zgjodha “Exilin” sepse është diçka që u përket të gjithë shqiptarëve anembanë botës, pavarësisht se unë për bazë kam marrë vitet ’97 dhe ‘98, periudha kur kam lënë Shqipërinë. Prandaj mendova se kjo pjesë do t’i përshtatet shumë Baletit të Kosovës”, tha ai.

Duke folur për kualitetin e shfaqjes, ai u shpreh se kanë punuar aq shumë, saqë s’mund të merret me mend.

“Kemi punuar nga mëngjesi në darkë duke bërë një punë të jashtëzakonshme dhe të përkushtuar. Unë lëviz nëpër shumë teatro nëpër botë, por jam mahnitur nga puna e këtyre balerinëve dhe nga ky proces ata kanë arritur një kualitet që krahasohet padiskutim me teatrot tjera të botës dhe me kënaqësi do të merrja edhe një ofertë tjetër për të bashkëpunuar me këta balerinë”, tha ai.

I pyetur për kushtet në të cilat kanë bërë prova dhe kanë punuar, ai shprehu indinjatën e tij.

“Kushtet janë të mjerueshme, dhe është vështirë të punohet kështu. Si balerinë ne duhet të ushtrohemi gjatë tërë ditës, e kemi procesin e punës sonë që është mjaft i komplikuar dhe kushtet e mira janë të domosdoshme për një balerin”, potencoi ai, duke marrë shembull një rast kur balerinët ishin veshur me xhupa për shkak të ftohtit të madh që mbretëronte në Teatër.

“Në ditën e parë të provave pashë gjithë balerinët me xhupa, ata po rrinin ashtu derisa e mora vesh që ishte akull ftohtë dhe uji që rridhte në bodrumin e Teatrit s’e lejonte të hapej sistemin e ngrohjes. Këto kushte më befasuan dhe më erdhi keq për balerinët që s’mund t’i kryenin punët që kishin ndërmend”, u shpreh ai.

Megjithatë, provat për shfaqjen kanë shkuar mirë dhe prezenca e Peçit ka ndikuar mirë tek balerinët të cilët u shprehën të ngazëllyer për rastin që të bashkëpunojnë me të.

Balerini Mehmet Bikliqi tregoi përvojat e tij duke e quajtur eksperiencën e jashtëzakonshme.

“Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme edhe nga ana teknike edhe nga ana artistike, faktikisht ne kemi punuar me këto stile dhe mënyra e shpjegimit të Enos nuk ka qenë vetëm koreografi por edhe shkollë për neve që e kemi përfituar gjatë këtij procesi. Eno ka dhënë më shumë sesa e ka pasur për detyrë. Stili i tij ka disa specifika të cilat ai i ka shpjeguar me një gatishmëri të lartë, edhe si janë edhe si duhet t’i bëjmë këto stile.”

Ka qenë gjithçka për neve, shkollë dhe shfaqje, Eno na ka involvuar në konceptin e kësaj shfaqjeje dhe i gjithë ekipi këto ditë është duke jetuar me shfaqjen” u shpreh Bikliqi.

Edhe balerini tjetër Fatmir Smani u shpreh i kënaqur me përfshirjen në këtë shfaqje.

“Sot e kësaj dite shqiptarët shohin mundësinë për të ikë jashtë vendit, andaj e kemi pasur të lehtë të futemi në shfaqje, sepse e kemi ndjerë atë sikurse dhe ndjenjën e një të riu që i duhet të ikë jashtë. Eno ka qenë transparent dhe puna ka shkuar në përgjithësi mirë. Kemi punuar shumë që të dalim sa më mirë para publikut”, potencoi Smani.

Edhe balerini Sead Vuniçi potencoi se puna me Enon ka shkuar mirë dhe se ata kanë mësuar shumë prej tij për t’u ngritur në karrierën e tyre profesionale.

Shfaqja do të mbahet nesër dhe pritet të ketë interesim të madh nga publiku për shkak të tematikës sociale dhe aktuale për kohën tonë, megjithëse ngjarja për bazë ka vitet e shkuara. /KultPlus.com

Të ngjajshme