Fotografia e Kroni Krasniqit zë vend në faqet e “The Sun Magazine”

26 Janar, 2018 - 12:00 pm

Fotografia e shkrepur në Liqenin e Batllavës nga fotografi i ri Kroni Krasniqi është publikuar së fundmi në revistën e njohur amerikane “The Sun Magazine”, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Kjo fotografi e pozicionuar në tokën e thatë të Liqenit të Batllavës pasqyron kohën krizës për ujë. Buzë liqenit shihet barka e cila tashmë në mungesë të ujit ka mbetur në tokën e thatë. Kroni Krasniqi, edhe pse i ri në moshë, lidhja e tij me fotografinë është shumë e hershme, madje ai thotë se këtë pasion e ka trashëguar nga familjarët e tij, të cilët përgjatë viteve e kanë ndarë një dashuri të veçantë për fotografinë. Kroni është rritur me këtë pasion për të ngrirë bukuritë e natyrës përmes një fotografie të vetme. Ai si fëmijë i rritur në fshat, edhe si i fëmijë ka poseduar një aparat të vogël me të cilin ka shkrepur pamje të cilat e tërhiqnin. Natyra, gjelbërimi, kafshët e fshatit të tij kishin qenë objektivi kryesor i aparatit të tij të vogël. Kroni tregoi për KultPlus, rrugëtimin e fotografisë së tij deri tek revista “The Sun Magazine”.

“Kam komunikuar me revistën, e kam dërguar fotografinë, e cila më pas është pranuar nga juria. Dhe tash në Janar 2018, kanë vendosur ta publikojnë, duke ia bashkëngjitë një tregim të bukur fiktiv të shkruar nga Brenda Peynado”, tregoi Kroni.

Depërtimi i fotografisë së tij përtej kontinentit, atij i ka dhënë mjaft motiv për ta vazhduar zhvilimin e mëtutjeshëm të këtij pasioni të veçantë.

“Për mua është ndjenjë e mirë që jam pjesë e një reviste me emër në Shtetet e Bashkuara te Amerikës. Kjo me jep motiv për të vazhduar dhe shpresoj qe secili prej nesh që e duam fotografinë të kemi mundësi me e tregu pasionin tonë, kudo qoftë edhe në revistat tona edhe në portalet tona, e pse jo edhe jashtë kufijve”, është shprehur Kroni në një intervistë për KultPlus.


Kroni pasionin për fotografinë fillon e e merr më seriozisht që nga viti 2013, kur ai edhe fillon të interesohet me më përkushtim për funksionimin e aparatit, e anët konceptuale të fotografisë, për të cilën thotë se ende vazhdon të mësoj. Ai thotë se fillimisht preferencat e tij shtriheshin tek peisazhet, bukuritë e pamjeve që të mahnitin, shkrepja e pamjeve të tilla e prekin thellë reagimin e tij artistik. Ai thotë se së fundmi dëshira e tij kryesore është që fotografia e tij të përçoj një mesazh për të gjithë ata që e shohin. Kroni krejt në fund është shprehur se qëllimi i tij është që përmes kontekstit e mesazhit të fotografisë të ndikoj pozitivisht në shoqëri./ KultPlus.com

Të ngjajshme