Gjendja aktuale dhe sfidat e ardhshme – renovimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës

19 Janar, 2024 - 5:09 pm

Uranik Emini

Më 16 Qershor të vitit 2022, Ministria e Kulturës njoftoi se së “shpejti” do të fillojë renovimi i plotë i Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Sipas Ministrisë Kulturës, përkundër ndërhyrjeve gjatë viteve të fundit në institucionin kulturor më të rëndësishëm në vend, asnjëherë nuk kanë qenë të mjaftueshme, prandaj renovimi i plotë u pa si zgjidhje e vetme e mbetur.

Përkundër se ka kaluar 1 vit, 7 muaj dhe 2 ditë që kur është dhënë lajmi, renovimi i TKK-së nuk duket të jetë edhe shumë i shpejt.

Në një përgjigjje për KultPlus, MKRS njoftoi se gjatë vitit 2023, bazuar ne memorandumin e Bashkepunimit midis MKRS dhe Universitetit te Prishtines “Hasan Prishtina”, është hartuar projekti ideor dhe projekti zbatues i restaurimit dhe konzervimit të objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Bazuar në faktin që objekti i TKK është aset nën mbrojtje, specifikat e hartimit të projektit kanë kërkuar më shumë kohë për trajtim nga ana e projektuesëve. Projekti zbatues është dërguar në fund të vitit 2023 në MKRS dhe projekti është trajtuar në komisionin e veçantë të IKMM-së (Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve) për dhënien e pëlqimit për ndërhyrje në objektin e TKK si aset nen mbrojtje”.

Tutje, sipas MKRS-së, edhe Komisioni i IKMM-së ka dhënë disa rekomandime që duhet të trajtohen nga ana e hartueseve të projektit dhe tashmë janë në fazën finale të trajtimit të këtyre komenteve.

Të pyetur nëse mund ka ndonjë informacion mbi afatin e përfundimit të renovimeve në Teatrin Kombëtar të Kosovës, nga Ministria e Kulturës kanë thënë se në momentin e finalizimit të projektit të restaurimit dhe konzervimit të objektit të TKK-së, MKRS do të vijojë me procedurat e prokurimit për zbatimin e këtij projektit. Planifikojmë që brenda muajit të nisin procedurat e prokurimit për zbatimin projektit per restaurimin dhe konzervimit të teatrit.

Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, në një përgjigjje për KultPlus ka thënë se TKK nuk e ka në kontroll procesin e renovimit të objektit të vet, sepse kjo procedurë është duke u zhvilluar nga MKRS.

“TKK nuk e ka në kontroll procesin e renovimit të objektit të vet sepse kjo procedurë është duke u zhvilluar nga MKRS.” Në momentin që marrim konfirmim për kohën e përfundimit të punëve ne edhe do të marrim të gjitha masat për përgaditjen e strategjisë për kthimin në objekt dhe projektet tjera konkrete”, thotë Sheremeti për KultPlus.

Sipas tij, deri atëherë ata do ta vazhdojnë punën në objektet ku po zhvillojmë aktivitetet aktualisht.

TKK-ja e mbylli vitin 2023 me gjashtë premiera dhe më shumë se 200 repriza. /KultPlus.com

*Foto në ballinë: Denis Sllovinja

Të ngjajshme