Inis Gjoni sjellë ‘Çiftin e çuditshëm’ në Teatrin Kombëtar

27 Tetor, 2017 - 5:52 pm

Komedia “Çifti i çuditshëm” në Teatrin Kombëtar. Regjisorja e sjell këtë vepër për të treguar se kompromisi dhe toleranca janë rregullatorë shoqëror. Pa këto elemente, sipas saj, shoqëria jonë do të ishte shumë më e ashpër sesa është.

Tema e veprës “Çifti i çuditshëm” e Neil Simon, që kësaj here riktheu, si regjisore Inis Gjonin në skenën e Teatrit Kombëtar, është një ndër ato tema, prej të cilave përherë ajo vetë është “ngacmuar”. Një komedi, që në qendër ka dinamikën e marrëdhënieve njerëzore, tema dhe nëntema për familjen, divorcin, bashkëjetesën, miqësinë dhe shoqërinë, por jo vetëm kaq. “Kompromisi dhe toleranca janë bërthama drejt një rregullatori shoqëror, pa të cilën shoqëria jonë do të ishte shumë më tepër e ashpër sesa është”, shprehet regjisorja Inis Gjoni, e cila së bashku me artistët protagonistë rrëfen më tepër rreth realizimit të kësaj shfaqje.

“E përzgjodha këtë vepër, sepse mendoj se tema që trajton është interesante, gati-gati është një nga temat, që mua më ka pëlqyer përherë, sepse flet për dinamikën e marrëdhënieve njerëzore, në të shtrohen një sërë nëntemash, si familja, divorci, bashkëjetesa, komunikimi, miqësia, shoqëria etj”, shkruan Shekulli.

Ndërsa, më tej Gjoni shton se ideja qendrore, është që kompromisi dhe toleranca janë bërthama drejt një rregullatori shoqëror, pa të cilën shoqëria jonë dhe dinamika e marrëdhënieve njerëzore do të ishte shumë më tepër e ashpër sesa është. “Është një vepër shumë aktuale dhe do të jetë e tillë, derisa njerëzimi të jetë mbi tokë, sepse flet për dinamikën e marrëdhënieve shoqërore. Pra kjo vepër nuk ka kohë për temën dhe idenë që trajton”.

Zakonisht në të gjitha vëniet e saj, Inis Gjoni, i qëndron strikte autorit, duke ndërhyrë atje ku mendon se është e nevojshme. Na tregon se i intereson shtylla e veprës, prandaj duhet që të bëjë gjithçka që duhet për të dhënë idenë që përmban vepra.

Protagonistët e “Çiftit të çuditshëm” janë Romir Zalla dhe Gentian Zenelaj. Zalla na tregon se gjëja më interesante e komedisë, të cilën e ka kuptuar pas provave gjenerale, është që në këtë komedi publiku mund të shikojë jetën e një burri pasi divorcohet. Çfarë ndodh me të realisht? “Nëse gratë e marrin jetën ndryshe nga burrat pasi divorcohen, duke e nisur nga fillimi, pavarësisht se vuajnë shumë, duhet të shihni se çfarë ndodh me një burrë”, thotë ai.

“Çifti i çuditshëm” është një nga komeditë më të famshme amerikane të 50 viteve të fundit. Vepra sjell një tablo humoristike, karaktere të zakonshme në plan të parë, por jashtëzakonisht të papajtueshëm mes tyre. Nën interpretimin e aktorëve Romir Zalla, Gentian Zenelaj, Mehmet Xhelili, Ervin Bejleri, Besmir Bitraku, Rozana Radi, Annais Lika. Skenograf Stivi Rrapo, ss/regjisor Alba Shtëmbari dhe Elios Ibro, stiliste Julinda Arallambi. / KultPlus.com

Të ngjajshme