займ на карту онлайн потребительский кредит

Jeta e transgjinores Charlotte von Mahlsdorf realizohet si shfaqje teatrore

2 Dhjetor, 2019 - 11:59 am

Me tekstin “Unë jam vetë grua” nga Doug Wright, me regjisorin Kushtrim Koliqi dhe me aktorin Adrian Morina, Integra në bashkëpunim me Miza në skenë ka realizuar projektin teatror që përqendrohet në jetën e jashtëzakonshme dhe me shumë dritëhije të Charlotte von Mahlsdorf, transgjinores nga Gjermania që i ka mbijetuar sistemit Nazist dhe Stasit.

Shfaqja fituese e çmimit “Pulitzer” dhe e çmimit “Toni” është shfaqje që bazohet në bisedat dhe intervistat e Doug Wright me transgjinoren gjermane, njëherit tregtaren e antikuareve Charlotte von Mahlsdorf, si dhe në autobiografinë e Charlotte të vitit 1992, të titulluar ‘I am my own wife’. 

Për portretizimin plotë të Charlotte, gjatë periudhës naziste dhe regjimit komunist pasues, ndërsa jetonte haptazi si transgjinore, shfaqja kërkon që aktori i saj i vetëm të luajë rreth tridhjetë role të ndryshme.

Titulli i shfaqjes ka dalur nga një anekdotë që Charlotte e tregon: kur ajo ishte dyzet vjeç, nëna e saj duke mos pasur asnjë ide, i tha “Boll luajte dhe u pispillose. Je bërë burrë tani. Kur ke ndër mend të martohesh?” së cilës pyetje Charlotte iu përgjigj “Kurrë, mamaka. Unë jam martuar me veten”.

Sipas Wright, në fillim Charlotte paraqitet si një heroinë e vërtetë – një e mbijetuar nga nazistët dhe komunistët në Gjermaninë Lindore. Sidoqoftë, po ashtu bëhet e qartë se mbijetesa e saj në atë klimë të pasigurtë kërkonte bërjen e shumë zgjedhjeve të dyshimta morale. Për të kontekstualizuar këtë aftësi për të mbijetuar, shfaqja  “Unë jam vetë grua” jo vetëm që kronikon jetën e Charlottes, por sipas Hedy Weiss të Chicago Sun-Times, ajo gjithashtu krijon “një portret të qartë të Gjermanisë në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, një përrallë morale komplekse për atë që i duhet bërë një njeriu për të mbijetuar dhe një meditim intrigues për gjithçka.

Ky tekst është shqipëruar nga Artur Lena, skenografe dhe kostumografe e këtij prodhimi është Njomëza Luci, kompozitor Trimor Dhomi, asistent regjisor Bashkim Ramadani, video realizator Lum Çitaku dhe dizajner i dritave Skender Latifi.

Premiera e shfaqjes “Unë jam vetë grua” është me 4 dhjetor, prej orës 19:30 dhe repriza e parë me 5 dhjetor, prej orës 19:30 në Teatrin Dodona në Prishtinë.

Bashkangjitur me këtë komunikatë ju lutem gjeni posterin e shfaqjes.

Kjo shfaqje realizohet në bashkëpunim me CDF, The Global Fund, Rockefeller Brother Funds, Teatrin Dodona dhe Kumunën e Prishtinës.  Ky projekt është mbështetur nga programi ‘Kultura për ndryshim’ që financohet e menaxhohet nga Bashkimi Evropian ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe Institute. / KultPlus.com

Të ngjajshme