Jeta, vdekja dhe pasioni do të shkrihen nesër mbrëma nga koreografi Angelin Preljocaj në TKK

6 Tetor, 2017 - 3:27 pm

Jeta Zymberi

Me entuziazëm dhe shumë dashuri u prit sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës koreografi francez me prejardhje shqiptare, Angelin Preljocaj. Fiziku i tij tregonte shumë për punën dhe angazhimet e tij si balerin, e fytyra e tij fliste për gëzimin që ai kishte për ardhjen e tij në Kosovë e Shqipëri, shkruan KultPlus.

Një mbrëmje të jashtëzakonshme të shfaqjes së baletit nga balerini Angelin Preljocaj në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, organizuar nga Ambasada e Francës në Kosovë, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar dhe Baletin Kombëtar të Kosovës, do të keni rast ta shihni nesër.

Angelin Preljocaj, është sot një nga artistët më të shquar të vallëzimit bashkëkohor ndërkombëtar. Baleti i tij do të performojë në Prishtinë si pjesë e një turneu ekskluziv në Shqipëri dhe në Kosovë për prezantimin e premierës botërore të shfaqjes së tij të re “Création 2017”, e prezantuar në Francë me 21 shtator 2017.

Të dy pjesët “Un Trait d’Union & Création 2017” do të shfaqen nesër mbrëma në orën 20:00, shkruan KultPlus.

Në konferencën e mbajtur sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku të pranishëm ishin drejtori i Baletit të Kosovës, Ahmet Brahimaj, drejtori i Teatrit të Kosovës, Agim Sopi, koreografi Angelin Preljocaj, përfaqësues të Ambasadës Franceze, si dhe shumë gazetarë e njerëz të artit që e ndjenin vlerësim takimin me koreografin Preljocaj, u fol e u diskutuar rreth ardhjes së koreografit Preljocaj në Kosovë, premierës së shfaqjes së tij në teatrin e Kosovës si dhe rreth mundësisë së një bashkëpunimi me trupën e Baletit të Kosovës.

Në këtë konferencë, fillimisht fjalën e mori drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj i cili u shpreh shumë i nderuar për ardhjen e balerinit Preljocaj në Kosovë.

“Është një interesim jashtëzakonisht i madh prej qytetarëve dhe artistëve të Kosovës për këtë shfaqje, sepse po ju ofrohet shanca të shohin shfaqje nga ky koreograf i mrekullueshëm. Duke marrë parasysh interesimin e madh, na vjen keq që salla është e vogël por shpresojë të kemi rast dhe Angelinin ta kemi prap këtu. Unë i kam ofruar bashkëpunim dhe shpresoj që do të pranojë, do ishim të nderuar që të kemi një bashkëpunim me të”, ka thënë Brahimaj.

Tutje fjalën e mori drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi, i cili tha që janë të lumtur që trupa e Angjelin Preljocaj bashkë me të janë në Kosovë për të dhënë një shfaqje. Ai tutje foli për artistin duke i dhënë vlerësimet më të larta.

“Një ndër të paktët artistë më të mirë evropian dhe më gjerë. Njeriu që udhëheq një trup unike me të cilën ka krijuar një traditë jo të vogël, më shumë se 30 vjeçare dhe në këtë traditë Angelini ka realizuar më shumë se 45 koreografi autoriale. Unë kam parë disa shfaqje të Angelinit dhe thjeshtë jam i dashuruar në punën e tij. Deshëm apo jo, Angelin Preljocaj do mbetet një pjesë e rëndësishme e historisë së baletit. Ata që nuk e njohin Angelinin dhe trupën e tij, jam i bindur që nesër mbrëma do të ju ofrohet një përjetim që nuk do ta harrojnë kurrë në jetë. Ne do të ishim skajshmërisht të lumtur sikur të ekzistonte edhe një mundësi bashkëpunimi në mes nesh dhe bashkërisht të krijonin një shfaqje me trupën e baletit të Kosovës”, tha ndër të tjera Sopi.

Pas Sopit, ishte radha e koreografit Preljocaj që të marrë fjalën. Ai tha që pas fjalës së dy drejtorëve, emocionet e tij janë deri në ankth.

“Jam shumë i inkurajuar me pasionin dhe angazhimin e drejtuesve të teatrit dhe trupës se baletit të Kosovës. Janë njerëz që e kanë kuptuar që kultura e ka vendin e vet të merituar, madje edhe përpara çështjeve ekonomike dhe financiare të cilat shpesh dalin në pah para aspektit kulturor. Ne do të japim maksimumin nesër mbrëma, që të jemi në nivelin e pritjeve të publikut.

Ndërsa përfaqësues nga ambasada franceze në Kosovë u shprehën të lumtur që po kanë mundësi që publikut kosovar të ju ofrojnë një shfaqje të tillë.

Koreografi francez me origjinë shqiptare, Angelin Preljocaj do të prezantojë në Prishtinë premierën botërore “Natyrë e qetë” Spektakli përmban dy pjesë “Viza lidhëse” një krijim i vitit ’89, një duo mashkullore ku për herë të parë do të interpretojë edhe një balerin shqiptar, Redi Shtylla si dhe premiera absolute “Krijimi” që do të interpretohet nga 6 balerinë francezë.

Sipas koreografit, baleti i titulluar ‘Stil life’, përmes lëvizjeve dhe jetës në skenë, flet për kohën që kalon, jetën, vdekjen dhe pasionin, por edhe për kotësinë, një nga karakteristikat e njeriut postmodern. / KultPlus.com

Të ngjajshme