Ka vdekur sot Esma Mulla, një nga balerinat e para në Kosovë

29 Qershor, 2022 - 9:18 am

Ka vdekur sot Esma Mulla, një nga balerinat e para në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur shoqja e saj më e mirë, aktorja Kumrije Hoxha.

“U nda nga jeta Esma Mulla nga balerinat e para të Kosovës. Pusho në paqe mikja ime, gjithmonë do të jesh në zemrën dhe kujtimet e mija”, ka shkruar Hoxha.

Kujtojmë që Ansambli i Parë i Baletit kosovar është formuar në vitin 1972. Balerinët e asaj gjenerate janë shkolluar në Shkollën e mesme të Baletit në Shkup, ku nën udhëheqjen e drejtoreshës Tatjana Petkovska, u shkolluan 25 balerinë të rinj kosovar, nga ta 19 meshkuj e 6 femra.  
Pas përfundimit të suksesshëm të shkollimit, shumica prej tyre kthehen në Prishtinë dhe në kuadër të Teatrit Popullor Krahinor, formohet Ansambi i Baletit, pjesë e së cilit ishte edhe Esma që sot iku nga kjo botë.

Shtatëmbëdhjetë balerinët e parë jane: Ahmet Brahimaj, Rrustem Selca, Elez Nikçi, Shqipe Hoxha, Esma Mulla, Selajdin Kiçe, Gani Loshi, Jonuz Beqiraj, Hysen Podrimçaku, Rrustem Bajrami, Rrustem Metaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Skender Domniku, Shaban Shabanaj, Enver Berisha. Për udhëheqës ishte zgjedhur Abdurrahman Nokshiqi, i cili i takon gjeneratës më të hershme. Më vonë, Trupës iu bashkangjitën edhe 5 balerina nga Shkupi, e gjithashtu edhe balerinat kosovare të gjeneratës më të re, si: Nexhmije Meha Selca, Sabrije Spahiu Shkreli, dhe dy balerinët Enver Elshani dhe Jashar Berisha.
 
Dhe kështu fillon Epoka e Baletit kosovar. Që në paraqitjet e para, balerinët kosovar treguan se janë mjaft të përgatitur dhe kanë cilësi te atilla që mund të barazohen me balerinët e vendeve të tjera. / KultPlus.com


 

Të ngjajshme