Teatri Kombëtar i Kosovës triumfoi përkundër sfidave për të përfunduar suksesshëm vitin

28 Dhjetor, 2022 - 3:35 pm

Viti 2022 për Teatrin Kombëtar të Kosovës ishte vërtet i lëkundshëm në shumë aspekte. Fillimisht, si pasojë e pandemisë globale COVID-19, ka pasur edhe mungesë produksionesh për një kohë të gjatë, e më pas duke ardhur me lajmin se do t’i nënshtrohet procesit të rinovimit dhe puna do të kryhet në një mjedis tjetër, siç është ai i Amfiteatrit të Ri të TKK-së, shkruan KultPlus.

Me gjithë problemet, TKK shpërtheu për të na dhënë tre shfaqje mahnitëse dhe për të mbyllur kështu vitin e suksesshëm me salla plot.

Përmes një postimi në “Facebook”, Teatri Kombëtar i Kosovës ka listuar të arriturat e këtij viti.

Postimi i plotë:

“Teatri Kombëtar i Kosovës përgjatë vitit 2022

Viti që po lëm pas ishte mjaft i veshtirë për teatrin në gjithë botën ndikuar nga pandemia globale Covid 19 si dhe mungesa e prodhimeve për një kohë të gjatë.

Sidoqoftë, TKK përkunder veshtirësive vitin 2022 po arrijmë ta përmbyllim me sukses, gjithmone duke na motivuar për punë dhe suksese edhe më të medha.

Viti 2022 shënon edhe këto të arritura:

– TKK është bërë pjesë e familjes së madhe të European Theatre Convention duke hapë dyert tona për bashkëpunim dhe prezentim ndërkombëtar! Viti 2023 do të shenojë edhe realizimin e një bashkëprodhimi të madh evropian i cili do të ketë premierën në muajin Tetor!

– Prezentuam TKK-në në konferenca ndërkombëtare teatrore e në Festivalin e Avignionit duke krijuar ura të reja bashkëpunimi!

– Këtë vit u morr vendimi për renovimin e tërsishëm të objektit te TKK-së.

– Këtë vit nisëm një kapitull të ri të bashkëpunimit teatror kombëtar me marrëveshjen e përbashkët me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrin Shqiptar në Shkup duke bërë realitet ëndrrën e kahmotshme: Festivalin e Teatrit Shqiptar – MOISIU. Festivali përfundoi edicionin e parë sivjet në nëntor.

– TKK adaptoi hapësirën e Amfiteatrit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë e shëndrruar në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës! Ndër të tjera, përpos që e krijuam një shtëpi të re për ne, e krijuam edhe një hapësirë teatrore që do të jetoj gjithmonë në Kryeqytet!

– Nga 28 nëntor deri me 21 Dhjetor prezentuam 3 premiera: CLUB ALBANIA (bazuar në Pas Vdekjes) në regji të Fatos Berisha, MOLLY në regji të Sibel Abdiu dhe GRATË ose mëkatet e tyre në patriarkat në regji të Nastazija Domaradzka!

– Reprizat e shfaqjeve tona ishin gjithmonë SOLD OUT

– Nisëm një kapitull të ri të bashkëpunimit në mes të teatrove publike në Kosovë me fillimin e bashkëprodhimit të shfaqjes FAUSTI në regji të Fadil Hysaj bashkë me Teatrin e Qytetit Gjilan dhe Teatrin e Qytetit Prizren!

– Me produksionet tona morrem Çmime në festivale te ndryshme në Rajon e Kosovë si dhe prezentuam produksionet tona nëpër Kosovë, Rajon e Evropë!

E gjithë kjo punë do të ishte e pamundur pa punën e palodhshme të stafit të TKK-së dhe pa profesionalizmin e Aktorëve të Trupes Rezidente të TKK-së dhe të gjithë bashkëpunëtorëve tanë!

Meritë të veçante pa dyshim ka edhe mbështetja e MKRS-së dhe institucioneve tjera me të cilat kemi bashkëpunuar.

Falenderim i veçantë nga TKK i behet publikut tonë besnik.

Mirupafshim në vitin 2023 për të cilin jemi të motivuar të tejkalojmë sukseset e këtij viti!”, thuhet në postimin e tyre.

Shfaqja e fundit që u shfaq në Amfiteatrin e Ri ishte shfaqja “Club Albania”. /KultPlus.com

Të ngjajshme