“Kaleidoscope” dhe “Suitë në Re”, dy balete premierë për publikun shqiptar në TKOB

26 Maj, 2025 - 8:00 pm

Baletet “Kaleidoscope” dhe “Suitë në Re” do të ngjiten premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, për tre netë me radhë, më 26, 27 dhe 28 maj.

Publiku do të përjetojë dy botë të ndryshme të baletit që bashkëjetojnë mbi të njëjtën skenë, duke sjellë emocione, estetikë dhe reflektim përmes lëvizjes.

Koreografi kanadez Peter Quanz, i njohur ndërkombëtarisht për krijimtarinë e tij të sofistikuar, sjell për herë të parë në Shqipëri veprën “Kaleidoscope”, një koreografi që magjeps me shpërthimin e ngjyrave, formave dhe energjisë.

Kjo vepër, e krijuar fillimisht për American Ballet Theatre në vitin 2005, është një manifestim i shpirtit që transformohet në çdo sekuencë, duke sjellë një realitet të ri koreografik sa herë që skena merr frymë.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri. Baleti që do të sjellim në skenë është krijuar në vitin 2005 për Teatrin Amerikan të Baletit, dhe sot, pas kaq shumë vitesh, mbetet po aq aktual. Kjo është hera e parë që vihet në skenën shqiptare dhe jam shumë i lumtur që sjell një frymë të tillë. Vepra vjen si premierë me skenografi të përshtatur për teatrin tuaj dhe kostumografi tërësisht të re. Si një kaleidoskop i vërtetë, çdo lëvizje sjell një pamje të re; çdo sekuencë, një bukuri që zhduket e lind sërish”, thotë koreografi Peter Quanz:

Pas këtij udhëtimi vizionar me “Kaleidoscope”, publiku zhytet në një univers krejtësisht ndryshe me “Suitë në Re”, një krijim origjinal nga koreografi Alvaro Dule.

“Jam këtu për herë të parë për një krijim të ri në trupën e Teatrit të Baletit të Shqipërisë. Vepra koreografike ‘Suitë në Re’ është frymëzuar nga muzika, e cila është e harmonizuar në një tonalitet. Kjo kërkon një simetri dhe një dialog me muzikën. Vepra ndërtohet përmes solove, duke treguar një dialektikë mes akademizmit të kërcimtarëve dhe strukturës baroke, të sjellë sot me një frymë të re. Kemi në skenë muzikë live”, thotë koreografi Alvaro Dule.

Bazuar në muzikën baroke të Handel-it, ky balet ndërthur klasiken me bashkëkohoren, përmes një ndjeshmërie elegante dhe një ndërtimi koreografik që lëviz nga solo të thella në duete të ndjera, e deri te harmonia e një kuinteti.

Pesë balerinë të trupës së TKOB-së i japin jetë një vepre ku trupi flet, ndjen dhe rrëfen, duke lidhur epokat përmes bukurisë së baletit./KultPlus.com

Të ngjajshme