3 Shtator, 2025 - 3:00 pm
Korça, qyteti i artit dhe kulturës, është kthyer këto ditë në kryeqendrën e humorit dhe komedisë shqiptare.
Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë “KoKo FEST” mbushi sallën e Teatrit “Andon Z. Çajupi” në Korçë, me dy shfaqjet e netëve të para, nga trupa e Teatrit të Korçës “Një martesë, një divorc, një funeral” dhe “Çfarë pa Kryeshërbëtorja?”, shkruan ministri Gonxhja.
Për shtatë net radhazi, publiku do të ketë mundësinë të shijojë komedi nga më të mirat, ku humori, ironia dhe reflektimi do të ndërthuren për të sjellë emocione të paharrueshme. “KoKo FEST” tashmë është bërë një traditë kulturore që jo vetëm gjallëron jetën artistike të qytetit, por bashkon artdashës nga mbarë vendi.
Ky projekt, i mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dëshmon edhe një herë rëndësinë që i kushtohet zhvillimit të artit skenik dhe promovimit të kulturës kombëtare.
“KoKo FEST” nuk është thjesht një festival komedie, është një festë e buzëqeshjes, e bashkimit dhe e fuqisë që arti ka për të afruar njerëzit. Korça, me traditën e saj teatrale, e ka kthyer këtë ngjarje në një nga pikat më të ndritura të kalendarit kulturor shqiptar./KultPlus.com