Komedia “Shi në plazh” mbylli sezonin e Kinemasë Verore të DPA-së

5 Gusht, 2025 - 12:10 pm

“Shi në plazh” ishte komedia e radhës e cila u shfaq në Kinemanë Verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Shfaqja u shkaktoi të pranishmëve plot të qeshura dhe emocione, në mbylljen e sezonit të dytë të Kinemasë Verore.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave falenderoi për mbështetjen Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), që mundësoi transmetimin e shfaqjes, si edhe shprehu mirënjohje për Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), me të cilin ndau gjithë këtë rrugëtim të pasur kulturor.

Duke ruajtur kthjelltësinë ndaj ngarkesës ideologjike të kinematografisë e teatrit gjatë regjimit komunist, ky sezon i Kinemasë Verore të DPA-së, iu kushtua posaçërisht komedisë shqiptare.

Në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), Kinemaja Verore e DPA-së, e cila ka një kapacitet prej 140 ulësesh, iu adresua veçanërisht nxënësve dhe studentëve, përmes një shërbimi që ndërthur edukimin me zbavitjen.

Së bashku me sallën e leksioneve dhe të trajnimeve, “Auditorin” dhe me Muzeun Arkivor që pritet të hapë dyert së afërmi, DPA-ja ofron një alternativë kulturore bashkëkohore./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme