Kryevepra botërore e baletit klasik, “Zhizel” së shpejti në TKOB

31 Janar, 2024 - 1:03 pm

Teatri Kombëtar i Operas e Baletit do të sjellë në fillim të muajit shkurt, baletin “Zhizel”, një nga veprat më të njohura të baletit klasik në nivel ndërkombëtar.

Rrëfimi i një dashurie të pamundur, ndërtuar mbi motivet e një legjende të lashtë gjermane, do të vijë nga Trupa e Baletit e TKOB-së, solistët dhe Orkestra Simfonike bashkë me shumë balerinë italianë. ”Zhizel” do të ketë koreografinë e të madhit, Agron Aliaj, nën drejtimin e dirigjentes së baletit, Sabrina Bosco dhe dirigjentes Renata Russo.

Ky balet është vënë për herë të parë në Operan e Parisit më 28 qershor të vitit 1841, ndërsa në Tiranë, premierën e pati në 14 dhjetor të vitit 1988.

“Zhizel” është një balet romantik me dy akte, që përmbledh të gjitha elementet stilistike, teknike dhe shprehëse të baletit klasiko-romantik. Në qendër të historisë qëndron dashuria e tradhëtuar dhe një princ mes dy vajzave. Baleti përbëhet nga dy akte: në të parin ndodh vdekja e Zhizelit, ndërsa në të dytin historia zhvillohet rreth legjendës gjermane mbi vilisat, të fejuara që vdesin pa arritur të martohen.

“Zhizel” do të vijë në datat 5-6-7 shkurt./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme