Kryevepra e Molierit vjen sot nga Artan Imami

6 Mars, 2020 - 2:00 pm

Rikthehet me kujtimet e 24 viteve më parë, kur në skenë, ai mori duartrokitje dhe admirim. “Don Zhuani” i Molierit, nga Artan Imami, vjen sërish para publikut shqiptar. Tashmë, Imami e sheh këtë rikthim, ku ai është protagonist, regjisor dhe skenograf në një prej veprave më të suksesshme tragji-komike, si një sfidë profesionale.

“Pas 24 vitesh, pasi ka lënë shije të mirë në mendjen e publikut që e ka parë shfaqjen, për mua është një sfidë që të jetë po në të njëjtin nivel. I ka bazat për të pasur sukses, sepse vepra është shumë e mirë” – ka theksuar artisti, për mediet.

Në kërkim të aventurave, “Don Zhuani” lë pas histori, që duket se nuk krijojnë tek ai aspak pendesë. Ndonëse Dona Elvirën e bind të lerë edhe manastirin, forca e zakonit nuk e bën të fortë t’i rezistojë tundimeve.

Sepse natyra njerëzore është e tillë, ripërsëritëse. Ndryshojnë vetëm metodat, ndërsa thelbi mbetet po ai. Ishte viti 1996, kur Artan Imami sprovoi veten në regji, duke ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar komedinë tragjike, “Don Zhuani”. Një vepër e jashtëzakonshme e Molierit, që bëri bujë dhe u ndalua në kohën e vet, pasi përmes personazheve të tij godiste kishën. Don Zhuanin e “mbajti” për vete. Tashmë e kishte korrur suksesin me “Zbutjen e kryeneçes” dhe deri diku ishte i familjarizuar me karaktere të “vështira”, veçse këtë herë nuk do të duhej të zbuste një kryeneçe, por ishte ai që duhej “zbutur”. Pas 24 vjetësh, si për të shlyer një peng, pse asokohe shfaqja e veprës së tij u ndërpre nga trazirat e vitit të marrë 1997, Artan Imami i rikthehet sërish “Don Zhuanit”.

Sërish Don Zhuan, regjisor, madje edhe skenograf. Premiera e veprës do të jetë në datën 6 mars, në skenën 400 të “arTurbinës”. Në rolin e regjisorit, ai premton një shfaqje mbështetur në simbolika të fuqishme, që nuk vizaton vetëm portretin e një gruari, një fisniku të shthurur ateist, që nuk lodhet duke vrapuar nga njëra aventurë dashurore te tjetra, pa gjetur asnjëherë paqe.

Përkundrazi, i neveritur nga mishi, ndërsa nxiton te një tjetër histori, te një tjetër grua, fati i së cilës nuk do të jetë më i mirë se i paraardhëses. Artan Imami synon të “zhveshë” hipokrizinë politikoshoqërore të kohërave që jetojmë, shënjuar nga mashtrimi, raportet e dyshimta dhe sipërfaqësore.

Ngjarjet do të zhvillohen në një ambient, që i ngjan një mauzoleu. Janë historitë e dashurive ngurosur nëpër mure, që do të donin të shpëtonin prej kësaj gracke të thurur mjeshtërisht nga një njeri, jo i pashpirt, por tragjik. Kësaj skene do t’i përshtaten edhe kostumet, të cilat ai ia ka besuar as më pak e as më shumë, por bashkëshortes së tij, Florenca Bellova.

E gjithë kjo duke i dhënë publikut një ndërthurje emocionesh, sa komike aq edhe dramatike.

“Do të mbeten të kënaqur edhe ata që vijnë për të parë një komendi, edhe ata të cilëve u pëlqen drama, sepse ka momente që do t’ju mbushen sytë me lot” – thotë Imami.

Nën interpretimin gjithashtu të Luiza Xhuvanit, Xhejni Famës, Dajana Nenaj, Alesia Xhemalaj, Genti Deçka, Donald Shehu dhe Xhuliano Briskut, “Don Zhuani” vjen prej 6 marsi, për 10 shfaqje rresht, në sallën e ArTurbinës, ora 19.30. /KultPlus.com

Të ngjajshme