“KultWoman me Leze Qenën” nxjerrë dashurinë e inspirimin që e ka karakterizuar gjithë rrugëtimin e Leze Qenës

5 Nëntor, 2018 - 8:22 pm

Gili Hoxhaj

KultWoman sot filloi rrugëtimin e zhytjes në rrëfimet e grave që kanë ndjekur rrugën jo të lehtë drejt depërtimit në skenën kulturore shqiptare. Gazeta e parë online për art e kulturë- KultPlus e sjellë këtë ngjarje si dedikim për gratë e suksesshme shqiptare ndër vite, që edhe sot kanë një rrëfim inspirimi për gjeneratën e re, ani pse kanë vepruar në kushte e rrethana krejt tjera.

KultWoman synon të sjellë rrëfimet e grave që kanë ecur me dekada në skenë, ndërsa sot ky projekt filloi pikërisht me aktoren e njohur shqiptare që për më shumë se pesë dekada, parreshtur ka derdhur shpirtin e saj në teatrin dhe skenën kulturore. Leze Qena nuk i është ndarë publikut as sot, madje ajo është bërë pjesë e atmosferës së shumë shtëpive, ku përmes ekraneve u ka përcjellë publikut personazhet më të dashura. Ata që kanë ndjekur shfaqjet e saj në skenë, e kujtojnë figurën e saj në përfaqësimin e roleve që kanë ngjallur emocion të veprës.

Leze Qena, aktore e lindur në Prizren, është ndër gratë më të suksesshme shqiptare por udha e saj drejt suksesit nuk ka qenë edhe e lehtë, duke qenë se i ka hyrë kësaj rruge atëherë, kur as ajo vetë nuk dinte shumë për teatrin. Në rolet e shumta në teatër, filma, radiodrama e seriale, ajo ka jetësuar role të grave e burrave e role të të gjitha moshave, duke filluar nga jetësimi i personazheve të fëmijëve e deri tek ato më të moshuarve, ndërsa thotë se zhanret që e kanë gjetur të pashterur në pasion, janë drama e komedia, duke besuar në atë se ka role ku komedia të bën të qash e drama të bën të qeshesh. Vendi ku ka shkrirë gjithë dashurinë mbetet teatri, veçmas skena e vogël, pasi sipas saj, skena e vogël nuk e toleron mashtrimin. Në të gjitha rolet me të cilat lidhet emri i saj, e që nuk janë të paktë, ajo theksoi se roli saj i preferuar mbetet ai i Ana Frankut, për të cilin thotë se nuk ka pasur nevojë për përpjekje për ta luajtur pasi që e ka përjetuar në çdo lëvizje. Publiku ende e ndalë dhe e përqafon në rrugë e kjo është dashuria me të cilën e ushqen veten çdo ditë e nuk dorëzohet, kurse sa i përket aktorëve ajo mendon se dikur aktori ka pasur një vend me të veçantë tek publiku përkundër që distanca mes tyre ka qenë shumë më e madhe se sot.

Krejt këtë rrëfim sa të vështirë e inspiruese, Leze Qena e solli sot në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në një bashkëbisedim me Kreshnik Berishën- Keka. Mes të qeshurave e lëvizjeve plot shpirt, Leze Qena eci nëpër kujtimet e saj, duke ndarë me publikun edhe momentet më interesante të jetës së saj familjare, e asaj me Xhevat Qenën.

Qysh herët, ajo kishte qenë ndryshe nga vajzat e lagjes së saj. E rritur në Prizren, ajo dritaret e dhomave në shtëpi atje, i përshkruan si të thella prej nga i hiqte perdet dhe mblidhte fëmijët e lagjes ku këndonte, recitonte e luante. Qysh prej 1954 ajo bashkëjeton me skenën e aktrimin, ndërsa thotë se çdo ditë e jetës së saj e çdo aktivitet, për 64 vite lidhej me aktrimin. Para gjumit, gjatë ecjes e në çdo aktivitet ajo përsëriste tekstet të cilat do t’i transmetonte tek publiku me shkrirje artistike e karizmën e saj të veçantë. Nëse e pyet se po të kthehej në kohë dhe nëse do ta ndiqte rrugën e njëjtë, ajo e pohon bindshëm se nuk do të shkëputej në asnjë moment prej kësaj rruge.

Karriera e saj ka një pikënisje që lidhet me emrin e Shemsedin Kirajtan, drejtor i teatrit amator në Prizren, për të cilin thotë se do t’i jetë mirënjohëse gjatë tërë jetës. Leze Qena mes të qeshurave tregon se nuk e kishte marrë seriozisht punën e aktrimit, sepse kishte besuar fort se nuk mund të jesh aktore nëse nuk ke një imazh si të Sofia Loren.

“Ai ka qenë drejtues i jetës time. Ai më pat thënë që duhet të shkoja në teatër në Prishtinë, por unë i thoja që mos të tallej me mua, sepse për të shkuar në teatër mendoja se duhet të ishe e gjatë dhe e bukur si Sofia Loren. Por ai insistonte se teatri kishte nevojë për mua. Unë nuk e dija që teatri kishte aktore me pamje të ndryshme”, fillon rrëfimin e saj Leze Qena.

Leza Qena kur ishte pranuar të jetë pjesë e Teatrit Popullor Krahinor të Kosovës, tregon edhe për reagimin e familjarëve të saj për hapat drejt teatrit. Paragjykimet nuk i kishin munguar, megjithëse edhe ajo me gjithë dashurinë për teatrin, nuk e kishte shumë idenë se në çfarë rrugë po hynte.

“Lutjen për të qenë pjesë e teatrit e kishte dërguar Shemsedin Kirajtani dhe më dha një monolog dhe një vjershë, dhe të tjerat më tha mësoi si të duash. Shkova në shtëpi për ta gëzuar nënën, më mirë më tha shko ‘pevaqicë’ në kafe se sa në teatër, nana nuk e dinte se çfarë ishte teatri, por as unë nuk e dija mirë. Babai edhe pse ishte pa shkollë, ishte shumë përparimtarë, më tha që të shkoja, por më këshilloi që të mbaja mendjen ne kokë”, tregoi tutje Leze Qena.

Me një vjershë të Anton Cettës, ajo kishte filluar kushtin për të qenë pjesë e teatrit, ndërsa rrëfen se në rolin e parë i ishte caktuar të jetë “e dashura” e Xhevat Qenës, bashkëshortit të saj, me të cilën ndau rrugëtimin artistik e jetësor. Pasi ishte sistemuar në banesë në Prishtinë, në moshën 19 vjeçare, drejtori e kishte këshilluar që të ndiqte vetëm një ritëm të jetës, që lidhet me shtëpinë e teatrin.

“Pasi e gjeta banesën drejtori më tha “ti këtu je pa familje dhe nuk dua të dëgjojë që pas shfaqjeve ke shkuar në kafe apo diku, vetëm shtëpi dhe teatër. Pasi kaloi një kohë, më tha “tani me Xhevatin mund të dalësh”, pastaj unë me Xhevatin kalonim shumë kohë në kafene dhe kur dilnim të gjithë ishin meshkuj (vozitës të kamionëve) e vetëm unë femër”, tregon Qena.

Ajo tregoi edhe për bashkëbisedimin që kishte pasur me aktorin e madh Bekim Fehmiu kur i kishte treguar se synonte rrugën drejt Hollivudit, tregoi edhe për mundësinë që i ishte ofruar asaj e Istref Begollit që të ndiqnin Akademinë e aktrimit në Beograd, e ajo kishte refuzuar përkundër inkurajimit të Xhevat Qenës, ndërsa thotë se as sot nuk pendohet për këtë vendim. Leze Qena nuk la pa ndarë edhe kujtimet me aktoren e njohur Katarina Josipi.

“Bekim Fehmiu ka ardhur në teatër pas meje dhe më tha “Leze unë po du me shku në Hollivud”, thashë “ku po i shkon mendja në Hollivud, unë mezi erdha në Prishtine e ai më thoshte që po shkon në Hollivud’. Njeriu vetëm duhet të ketë zemër e ambicie që të arrij çkado. Mua dhe Istref Begollin na dekoruan që të shkojmë së bashku në Akademi në Beograd, kurse unë pikërisht atë vit u martova dhe nuk doja të shkoja, edhe pse Xhevati më thoshte që të shkoj”, ka thënë mes të tjerash Leze Qena.

E rrethuar gjithnjë me burra, ajo thotë se lirinë më të madhe e ka ndjerë në rolet e djemve.

“I kam dashur rolet e djemve më shumë pasi që jam ndjerë më e lirë”, tregon Leze Qena.

Përkundër dashurisë për radiodramën e cila i mundësonte ta krijonte edhe regjinë, ajo thotë se teatri mbetet shtëpia e zemrës së saj.

“Teatrin nuk do ta ndërroja me asgjë. Skenën e vogël e kam dashur shumë, aty s’mund të gënjesh ose duhet të luash siç duhet ose nuk luan hiç”, tregon Qena sot në KultWoman.

Leze Qena mendon se aktori duhet ta ketë rrogën e deputetit duke theksuar me humor se edhe ata bëjnë pjesë në mesin e aktorëve. Ajo tutje tha se puna e aktorit është çmuar më shumë më parë se tani, ndërsa distanca mes publikut e aktorit ka qenë më e madhe ndërsa rrëfen se aktori ka dalë nga teatri pas shikuesit të fundit.
“Ne nuk guxonim të dilnim nga teatri pa shkuar shikuesi i fundit në teatër, atëherë mezi kanë pritur që të shohin. Tani aktori rri me publik, luan, rri prapë më publik pas shfaqjes dhe s’është më interesant”, shprehet Qena.

Për dhjetë vite ka qenë pjesë e serialit “Familja Moderne”, të cilën e cilëson si familje të vërtetë të sajën. Ajo thotë se e do shumë publikun ndërsa dashurinë e tyre thotë se e ka fituar edhe duke i luajtur fëmijët.

“Aty ku është grupi i mirë s’ka qare pa pas sukses, kur shihemi jemi si një familje. Sa kemi luajtur unë bija në nivelin e tyre kurse ata tash vijnë në nivelin tim. I kam dashur sinqerisht edhe publikun e kam dashur shumë. Edhe fëmijët vijnë e ma kapin faqen, e kështu kam mbetur tek publiku akoma”, e përkufizon me këtë fjali Qena atë periudhë.

KultWoman organizuar nga KultPlus filloi me aktoren Leze Qena dhe do ta vazhdojë edhe me pesë gra të tjera që gjetën hovin për të punuar edhe në kushtet më të vështira.

“KultWoman me…..” organizohet nga KultPlus dhe financohet nga “Culture for Change”, program i Bashkimit Evropian implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme