Kurti bën homazhe për regjisoren Berisha: Erdhëm sot këtu në Teatër të cilin e deshi aq shumë

28 Tetor, 2021 - 1:59 pm

Në hollin e Teatrit Kombëtar homazhe për regjisoren e ndjerë, Burbuqe Berisha, kanë bërë së fundmi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Kurti në fjalimin para medieve ka lartësuar figurën e ish-drejtoreshës së TKK-së duke thënë se puna dhe veprat e saj kanë lënë gjurmë të shkëlqyera në kulturën tonë.

“Erdhëm sot këtu në Teatër të cilin e deshi aq shumë dhe që kontribuoi gjithë jetën që t’ia japim lamtumirën e fundit regjisores Burbuqe Berisha. Qysh në kohën e okupimit të serbisë e deri në ditët e fundit Burbuqe Berisha nuk është ndalur asnjëherë dhe angazhimi i saj e puna e saj për teatrin dhe filmin tek ne lë gjurmë të shkëlqyera në kulturën tonë”.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

“Veprimtaria dhe krijimtaria artistike e Burbuqe Berishës bën kujtimin tonë për të pashlyeshëm por ngelet edhe si trashëgimi për brezat e artdashësve të cilët do të vijnë pas saj. Kam pasur fatin shpesh ta takoj të rrimë bashkë e të diskutojmë bashkë për artin e kulturën për filmat tek ne e në botë dhe ajo nuk ka qenë vetëm një artiste e talentuar, por edhe e angazhuar që i ka ndihmuar të tjerët e në debatet për të cilët ka marrë pjesë ka kontribuuar edhe në artistët e tjerë para dhe pas saj. E kujtojmë me nderime e me mall Burbuqe Berishën të cilën vdekja na e rrëmbeu para kohe por asnjëherë nuk do të mund të na marrë mbresat e fuqishme që i la tek ne me jetën dhe veprën e saj”, ka thënë ai. /telegrafi/ KultPlus.com

Të ngjajshme