Lahaj: Për sallën e koncerteve isha te kryeministri Haradinaj, sepse pa të, Prishtina nuk ishte më as kryeqytet e as kryekatun

23 Tetor, 2018 - 11:43 pm

Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj sot ka marë një vendim në lidhje me objektin e njohur si “Gërmia”, për shpronësimin e këtij objekti, edhe pse, ditë më herët ministri i MKRS-së Kujtim Gashi, këtë objekt e kishte futur në listën e përkohshme të trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.
Sot Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së saj kanë dhënë vendimin për shpronësim të ndërtesës së ish “Gërmisë”, ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nëpërmes rrjeteve sociale.
Ai ka shkruar se kanë shpronësuar këtë ndërtesë për adaptimin e saj për Sallë Koncertale, duke ruajtur stilin arkitektonik si pjesë e memories, sipas kërkesës së komunitetit të artistëve, ka bërë të ditur Kryeministri.

Ai ka shkruar: “Një ndër vendimet kryesore të Mbledhjes së sotme të Qeverisë, ishte ai për shpronësimin e ish ndërtesës së ndërmarrjes “Gërmia”, për adaptimin e saj për Sallë Koncertale, duke e ruajtur stilin arkitektonik si pjesë e memories, sipas kërkesës së komunitetit të artistëve.”
Mirëpo, një vendim i tillë ka revoltuar një pjesë të komunitetit artistik, të cilët ishin kundër rrënimit apo përafrimit të këtij objekti për një sallë koncertale, me arsyetimin se ky objekt do të duhej të ruante pamjen e vjetër, por edhe në anën tjetër, se një sallë e tillë nuk i plotëson kushtet për një sallë të denjë koncertale.

Por një vendim të tillë, kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, duket ta ketë marë pas takimit me tenorin e famshëm kosovar Ramë Lahaj, i cili po për shndërrimin e këtij objekti në një sallë koncertale, kishte marë mundin të vinte nga larg, që ta takonte kryeministrin Haradinaj.
“Për këtë objekt kam qenë te kryeministri”, ka thënë eksluzivisht Ramë Lahaj për KultPlus, i cili ka treguar se ka mbështetë idenë për shndërrimin e këtij objekti në një sallë koncertale.

“Po në atë takim, kryeministri Haradinaj më ka premtuar një mbeshtetje prej 100%”, ka thënë Lahaj.
Mirëpo, duke pasë parasysh se ky objekt nuk ështe edhe aq i madh dhe nuk i gjason sallave të mëdha botërore, ashtu ku edhe ka performuar Ramë Lahaj, tenori i famshëm e arsyeton me faktin se një mbështetje të tillë e ka bërë për faktin se pa një sallë koncertale, Prishtina më ishte një Prishtinë gjysmake.

“Pa një sallë koncertale, Prishtina nuk ishte më as kryeqytet, por as kryekatun”, ka thënë Lahaj në lidhje me këtë ndërmjetësim që ka bërë me kryeministrin Haradinaj. Por kush e solli nga Evropa që të negociojë në lidhje me shndërrimin e këtij objekti të vjetër në një sallë koncertale, Ramë Lahaj ka konfirmuar për KultPlus, se ardhjen e tij e ka kërkuar komuniteti artistik.

Lahaj ka përmend se ka dashur të kontribuojë në lidhje me ndërtimin e kësaj salle duke pasë parasysh edhe kërkesën e BE-së, që një vendim i tillë duhet të merret para Vitit të Ri, duke specifikuar se është falënderues edhe për kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahemti, i cili ka qenë pro kësa ideje.
“Por në këtë takim më shumë më ka sjellë nevoja për një sallë të mirëfilltë, sepse kemi mbetë për gjynah, mjerim”, ka thënë Lahaj./KultPlus.com

Të ngjajshme