Me dy shfaqje të fuqishme, “Prizrenfest” emocionoi publikun në natën e dytë të festivalit

2 Gusht, 2022 - 11:44 am

Festivali ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur “Prizrenfest”, mbrëmë shpalosi programin e natës së dytë të këtij edicioni të parë që po rezulton shumë i suksesshëm, përcjellë KultPlus.

Ishte historia rrëqethëse e një migranti që u shfaqë mbrëmë nëpërmjet rrugëtimit të tij sfidues dhe përjetimeve personale me shumë emocione.

Këtë rrugëtim po e barte mbi supe “PPP Ti Presento L’Albania (ITA)”, me regji nga Kaus Martini, e cila ishte shfaqja e parë që u prezantua në natën e dytë të “PrizrenFest”.

“PPP po ju prezentoj Shqipërinë”, është një kombinim, monodramë me histori autobiografike, fragmente të shkruara nga Pasolini dhe ripunime autoriale.

Me një skenografi modeste por shumë domethënëse, me një kombinim të gjuhëve mes italishtes dhe shqipes, nisë një korrespondencë imagjinare që shtynë djaloshin të rrëfejë për emigrimin e prindërve, për legjendat që ia kanë përcjellur gjyshërit dhe për vallet e ritualet që i japin ritëm jetës në fshat.

Në të njëjtën kohë, i shtyrë nga rigjetja e Pasolinit në atdheun e nënës së tij, alter egoja transparente e Klaus Martinit nxiti rigjetjen e tij në një botë nga e cila ishte ndarë qe fëmijë, e që tani e kishte harruar dhe shtypur për hirë të një integrimi të ri.

Duke korresponduar me përjetimet e të pranishmëve në audiencë, duartrokitjet për aktorin Kaus Martini nuk u ndalën.

Por emocionet nuk u ndalën këtu. Mbrëmja vazhdoi me interpretimet brilante të aktorëve të shfaqjes “Ora e Vdekjes” nga regjisori i njohur kosovar, Ilir Bokshi, dukë bërë kështu që publiku të përjetojë jo vetëm shfaqjen dhe hapësirat e burgut, por edhe përjetimet e të burgosurve politikë në Kosovë dhe Shqipëri.

Shfaqja përfshinë edhe tregime nga të mbijetuarit (nga masakra e burgut të Dubravës) si dhe tregime nga të burgosurit nëpër burgjet e tjera të luftës së fundit në Kosovë dhe kohës së komunizmit në Shqipëri.

Me emocione të përziera, e të fuqishme, shfaqja trajton jetën, moralin, identitetin, fatin, luftën, mbijetesën dhe dashurinë, gabimin dhe pafajësinë, lirinë dhe vdekjen, të gjitha këto të gërshetuara në një koncept inovativ teatror.

“Ora e Vdekjes” ishte shfaqja e  dytë e cila u mirëprit nga publiku në natën e dytë të edicionit të parë të festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur në Kosovë, “Prizrenfest”, i cili po vazhdon të mbahet në Prizren.

 Në natën e tretë të festivait, me 2 gusht në Prizren, do të shfaqen Italia, duke filluar nga ora 20:30 dhe Romania, në ora 21:30. / KultPlus.com

Të ngjajshme