‘Nëntor i ftohtë’ shfaqet në Gjakovë

30 Qershor, 2019 - 3:00 pm

Parku kulturor “Ali Podimija” pritet t’i nisë aktivitetet për të tretin vit me radhë. Hapjen e këtij sezoni ky park do ta bëjë me shfaqjen e njërit prej filmave më të suksesshëm kosovarë të viteve të fundit. Bëhet fjalë për filmin “Nëntori i ftohtë”, të regjisorit Ismet Sjarina. Ky film do të shfaqet para publikut të Gjakovës më 5 korrik, në orën 20:00. Siç bëhet e ditur, hyrja për ta parë filmin do të jetë falas. “Me plot entuziazëm për shumë ngjarje që na presin gjatë muajve në vazhdim rinisim rrugëtimin tonë të përbashkët. Në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe me Ministrinë e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit po shfaqim një nga veprat kinematografike më të përsosura të viteve të fundit. ‘Nëntor i ftohtë’ (“Cold November”) vjen në një nga projektimet e para në vend dhe premierë për Gjakovën. Me producent Fatmir Spahiun dhe në regjinë e Ismet Sijarinës, ky i fundit pranishëm në debatin pas filmit, ‘Nëntor i ftohtë’ është një tregim për një prej periudhave më domethënëse të popullit tonë”, thuhet në njoftimin e parkut kulturor “Ali Podrimja”.

Ky film na dërgon në vitet e ’90-ta dhe protagonisti kryesor i këtij filmi Fadili (Kushtrim Hoxha) është njëri nga ata personazhe që sjellin vendime të çuditshme. Ai dhe familja e tij përballen me vështirësitë e të qenit shqiptarë në Kosovën e asaj kohe dhe njerëzit e gjykojnë Fadilin pa e ditur ndoshta arsyen e vërtetë dhe rrugëtimi jetësor i tij komplikohet skajshmërish. Tridhjetegjashtëvjeçari që punon arkivist në ndërmarrje shtetërore gjendet në një situatë të vështirë dhe i duhet të zgjedhë ndërmjet dy opsioneve, që të dyja të gabuara: vendimi për të qenë patriot ose baba i përgjegjshëm. Filmi përçon gjithë presionin, dhunën psikike e fizike ndaj shqiptarëve të Kosovës që dëboheshin nga masat e dhunshme nga puna. Në të nuk mungojnë as ora policore e protestat simbolike, si ajo e zhurmës me çelësa si simbol i kyçjes dhe zhurma me enët e zbrazura si simbol i mungesës së ushqimit.

Me anë të situatave në të cilat Fadili gjendet pasqyrohet qartazi se si u përshkallëzuan në atë kohë raportet mes shqiptarëve, boshnjakëve e serbëve në ish-Jugosllavi. Këngë të rok grupit të njohur “Jericho” janë pjesë e këtij filmi. Ato janë xhiruar drejtpërdrejt në set dhe këndohen nga aktori Kushtrim Hoxha. Përveç Hoxhës, që sjell rolin kryesor, në këtë film luajnë edhe Adriana Matoshi, Majlinda Kosumoviç, Fatmir Spahiu, Bislim Muçaj, Lum Veseli e Kushtrim Sheremeti. Në anën tjetër regjisori ka sjellë edhe aktorët e famshëm nga Bosnja, Emir Haxhihafizbegoviç, fitues i “Luanit të Artë” e gjithashtu edhe aktoren Gordana Boban.

Të ngjajshme