Me shfaqjen ‘Hija e Gjatë e Alois Brunner’, nis edicioni i sivjetëm i festivalit ‘Polip’

16 Maj, 2025 - 4:30 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmë në teatrin “Oda” në Prishtinë u hap edicioni i sivjetëm i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Polip”. Organizuar nga Qendra ‘Multimedia’ në bashkëpunim me organizatën ‘Molla e Kuqe’, festivali ‘Polip vjen sivjet me moton ‘Dhe prapë dielli lind’, shkruan KultPlus.

Në hapjen e festivalit ‘Polip’, fjalën e mori koordinatorja e programit të qendrës ‘Multimedia’, Aurela Kadriu, e cila përveçse falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje shpalosi edhe programin e edicionit të sivjetëm të ‘Polip’.

“Mirësevini në një edicion të ri të festivalit ‘Polip’ i cili sivjet vjen nën temën ‘Dhe prapë dielli lind’. Programi i sivjetëm flet për vete, thërret për shpresë dhe solidaritet. Ky program ka qenë edhe mënyra e qendrës ‘Multimedia’ të shërohet edhe për vete. Nuk e kemi pasur një vit të lehtë dhe të këndshëm në kuptimin e ballafaqimit me atë se çka po ndodhë në botë, gjithçka që po ndodhë në botë thërret për solidaritet. E kemi bërë këtë temë të festivalit me idenë që jemi bashkë për agime më të mira dhe ‘Dielli prapë do të lindë”, u shpreh ajo në hapje të festivalit duke i bërë thirrje publikut që ta shijojnë shfaqjen që ishte përgatitur për natën hapëse.

Pas këtij fjalimi, në kuadër të këtij edicioni të ‘Polip’, përpara publikut u dha shfaqja, “Hija e Gjatë e Alois Brunner”. Kjo shfaqje, sjell përpara publikut realitetin e dhimbshëm të refugjatëve.

“Hija e Gjatë e Alois Brunner” flet për Alois Brunner, një prej kriminelëve nazistë më famëkeq, përgjegjës për deportimin e më shumë se 100,000 hebrenjve në kampet e përqendrimit. Edhe pse i shpallur ndër më të kërkuarit për krime kundër njerëzimit, Brunner arriti t’i shpëtojë drejtësisë, duke u strehuar në Damask, ku më vonë kontribuoi në themelimin e shërbimeve sekrete siriane. Kjo ngjarje reale bëhet pikënisje për një dramë që hyn thellë në temat e harresës dhe heshtjes.

Dramaturgu sirian, Mudar Alhaggi, zbulon historinë e Brunner-it dhe nis një kërkim për të dhe më pas vjen edhe me këtë shfaqje. Rrugëtimi i Alhaggi, që në shfaqje paraqitet si një figurë e zhdukur, rindërtohet nga dy aktorë Mohamad Al Rashi  dhe Wael Kadour (po ashtu, refugjatë nga Siria në Francë), që përpiqen të bashkojnë copëzat e kërkimit të tij.

Përmes kësaj strukture narrative, publiku përfshihet në një udhëtim dramatik ku kufijtë mes dokumentarit dhe dramës, historisë dhe përvojës personale, zbehen.

E gjithë kjo dramë, që mbajti publikun të vëmendshëm për gati dy orë, erdhi e reflektuar nga të dy aktorët të cilët herë me tone të lehta, herë me ironi e me ngjyrime nga jeta personale, sollën një realitet të hidhur, i cili përveçse ka në qendër një figurë si ajo e Brunner, hedh dritë edhe mbi jetën e refugjatëve në botë.

Pas shfaqjes, për KultPlus foli vetë skenaristi, Mudar Alhaggi i cili tregoi më shumë rreth shfaqjes dhe se si filloi gjithçka.

“Shfaqja flet për procesin e të gjithë projektit, nga momenti kur fillimisht kemi dëgjuar për kriminelin nazist të luftës, Alois Brunner, i cili më pas ishte bërë refugjat në Siria dhe ka qenë mbështetës i diktatorit që mbajti Sirinë nën kontroll. Kur mësuam për të, vendosëm që të bëjmë një shfaqje që flet për këtë kriminel. Gjatë procesit patëm edhe disa vështirësi, sidomos ne si azilantë në Gjermani e në Francë, çka na e komplikoi procesin. Megjithëse disa herë kemi vendosur që ta anulojmë shfaqjen, sërish vendosëm që të japim një shfaqje e cila flet një mënyrën se si u bë kjo shfaqje”, u shpreh Alhaggi për KultPlus.

E gjithë kjo shfaqje që u prezantua përpara publikut në Prishtinë vjen edhe si një pasqyrë e aktorit Mohamad Al Rashi. Ai tha për KultPlus që nëpërmjet kësaj shfaqje kanë bërë bashkë dramën e tyre bashkë me dokumentarin.

“Ky është koncepti i shfaqjes, ne flasim për jetën dhe për gjithë dramën që Mudar Alhaggi shkroi gjithashtu. Kjo është një mënyrë e re e jona që të bëjmë bashkë dramën dhe dokumentarin. E gjithë historia që drama flet, po është edhe historia ime”, tha aktori Mohamad Al Rashi.

Pas shfaqjes, për KultPlus foli edhe aktori Wael Kadour, i cili përveçse foli për rolin e tij, dha edhe përshtypjet e tij për vizitën në Prishtinë.

“Jam shumë i lumtur që jam në Prishtinë për herë të parë. Do të doja të vija sërish këtu me produksione të tjera ose vetëm për të parë qytetin. Roli im në këtë shfaqje, përderisa jam edhe vetë dramaturg, isha një reflektim i Mudar, dramaturgut të shfaqjes. Pra në këtë shfaqje unë jam edhe aktor por njëkohësisht edhe dikush që bën bashkë pjesët që dramaturgu la në gjysmë dhe u zhduk”, theksoi aktori Kadour, i cili më tutje u shpreh se ndjehet shumë i lumtur që kjo shfaqje u paraqit edhe përpara publikut të Kosovës.

Ndërkaq, ju kujtojmë se festivali ‘Polip’ do të zgjasë deri më 17 maj, e përgjatë këtyre ditëve do të ketë aktivitete të ndryshme, si diskutime, shfaqje filmash, lexime historish e shfaqje teatrale./KultPlus.com

Të ngjajshme