9 Qershor, 2025 - 2:31 pm
Teatri i Mitrovicës do të jetë pjesë e një prej festivaleve më të mëdha të teatrove që mbahet në Rumani, e që në këtë festival do te prezantohen me shfaqjen “Kontesha Arduini”, shkruan KultPlus.
Për këtë pjesëmarrje kanë njoftuar nga Teatri I Mitroviës dhe njoftimin e plotë e sjellim më poshtë.
Me emocion të veçantë ju njoftojmë se shfaqja “Kontesha Arduini”, produksion i Teatrit “Muharrem Qena” – Mitrovicë, është përzgjedhur të marrë pjesë në një prej festivaleve më të mëdha ndërkombëtare të teatrit – Festival Babel Târgoviște, Rumania!
Në këtë ngjarje të madhe artistike, ku takohen 34 shtete nga të gjitha kontinentet, Kosova do të jetë krenarisht në mesin e tyre – përfaqësuar nga një trupë e përkushtuar, kreative dhe profesionale që me dashuri e guxim ka ndërtuar një botë teatrale unike në “Konteshën Arduini”.
Ky është më shumë se një sukses – është një mision artistik, një zë i kulturës sonë që dëgjohet larg, një urdhër për të çuar artin tonë në skenat që tejkalojnë kufijtë dhe gjuhët.
Ekipi i Teatrit “Muharrem Qena” nuk po merr vetëm një shfaqje me vete – por gjithë shpirtin e Mitrovicës, historinë tonë, dhe ëndrrat kolektive të një populli që jeton me artin!
Urime dhe suksese gjithë ekipit artistik dhe teknik që me përkushtim të palëkundur e solli këtë projekt deri këtu!
Rumania, ndonëse ende nuk e ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, por hap dyert për artin dhe krijimtarinë tonë skenike.
Urime gjithë ekipit të Teatrit “Muharrem Qena” për këtë arritje të jashtëzakonshme!
Ju jeni ambasadorët tanë më të mirë – pa pasaporta diplomatike, por me pasaportën më të fortë: ARTIN!
Falënderim i veçantë për Kryetarin e Komunës së Mitrovicës dhe DKRS për mbështetjen e vazhdueshme që i japin Teatrit “Muharrem Qena” dhe artistëve të këtij qyteti. Kjo përkrahje është jetike për ruajtjen dhe zhvillimin e një skene të gjallë kulturore që tashmë po dëgjohet edhe ndërkombëtarisht./ KultPlus.com