Në shenjë revolte, aktorja Irena Cahani nuk do të luajë në shfaqjen ‘Ana dhe Zefi’

14 Shtator, 2018 - 6:38 pm

Pas aktorit Astrit Kabashi, i cili sot tregoi se nuk do të luajë në shfaqjen “Bordel Ballkan” me datë 15 shtator për shkak të moskryerjes së obligimeve nga ana e Teatrit Kombëtar të Kosovës kundrejt tij, edhe aktorja Irena Cahani ka vendosur të mos luajë në njërën prej shfaqjeve ku ajo është angazhuar.

“Në muajin tetor kur të dalë orari i shfaqjes nuk do të jem pjesë e “Ana dhe Zefi”. Prej datës 26 qershor kur ka qenë premiera, ndaj meje nuk janë kryer obligimet nga ana e TKK-së, as ndaj meje e as ndaj asnjërit prej kolegëve me të cilët jam në shfaqje, e të cilët janë krejt aktorë jorezident të Teatrit” tregon Irena Cahani, rreth vendimit të saj në shenjë proteste e pakënaqësie.

Si pasojë e gjakmarrjes, krijohen shtigje enigmatike, të cilat nuk kanë zgjidhje për shkak të dokeve dhe zakoneve që ia marrin jetën njeriut. Ky është një ndër konstatimet e dramës tragjike “Ana dhe Zefi”, me regji të Erson Zymberit, e cila sjell një përshkrim të ndjeshëm të dy të rinjve që luajnë në të panjohurën me plot dashuri.

Cahani tregon se po e mbështetë aktorin Kabashi në këtë problematikë e cila po shkakton probleme në moralin e punës të shumë prej aktorëve në TKK, ndërsa shpreson që së shpejti të ketë një përfundim më të mire të kësaj çështjeje brenda institucionit më të madh teatror në vend.

“Nëse nuk kryhet pagesa deri në shfaqjen e ardhshme, unë nuk kam me lujtë në shfaqje” tregon Irena.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Ernest Zymberi, Irena Cahani, Kushtrim Qerimi dhe Verona Koxha. / KultPlus.com

Të ngjajshme