Nis bashkëkrijimi i shfaqjes ‘Gratë Trojane – Replika’, ndërmjet Artpolis nga Kosova dhe Dah Teatrit nga Serbia

6 Shtator, 2023 - 1:53 pm

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis nga Prishtina në bashkëpunim me Dah Teatër nga Beogradi, kanë nisur krijimin e shfaqjes teatrore “Gratë Trojane – Replika”, bazuar në dramën e Euripidit të shkruar 2000 vjet më parë, e cila adreson luftën, shpërnguljen, dhunën ndaj grave dhe fëmijëve, dhe gjenocidin – tema që vazhdojnë të jenë relevante në mbarë botën edhe sot.

Prandaj, Projekti i Grave Trojane synon të angazhohet me komunitetet për të trajtuar historitë e konfliktit të fundit, dhe është një dëshirë nga ana e këtyre komuniteteve për të përdorur teatrin për trajtimin e çështjeve bashkëkohore.

Kjo shfaqje do të drejtohet nga dy regjisoret e vlerësuara, Zana Hoxha nga Kosova dhe Dijana Millosheviq nga Serbia.

Bashkëpunimi artistik dhe motërzimi aktivist ndërmjet Artpolis dhe DAH Teatrit shtrihet tash e 15 vjet me shkëmbime dhe rrjetëzime të ndryshme. Shfaqja “Gratë Trojane – Replika” është një vazhdimësi e natyrshme e rritjes dhe krijimit të përbashkët. Ndaj, qasja jonë feministe në këtë proces të përbashkët nuk lë vend për nacionalizëm dhe kufij!

“Gratë Trojane – Replika” është më shumë se art. Është një profeci, një dëshmi. Dhe profeti, i detyruar të përcjellë mesazhin e tij, tejkalon mënyrat e rregullta të artistit. Ky produksion do të zgjasë për një periudhë 3-vjeçare dhe do të realizohet në bashkëpunim me 15 artistë të teatrit, vallëzimit dhe muzikës nga të dy vendet.

Dhembshuria është një pasion rebel. Grushti e saj është kundër të fortëve, kundër forcës së organizuar të shoqërisë, kundër sanksioneve konvencionale dhe perëndive të pranuara.

“Gratë Trojane – Replika” është ndër ngjarjet qendrore të projektit “Kultura për ndryshim: Drejt marrëdhënieve më të mira ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përmes Artit dhe Aktivizmit Rinor”.

Partnerë, në këtë projekt të mbështetur nga Bashkimi Evropian, janë Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe Artpolis./ KutlPlus.com

Të ngjajshme