Nis festivali “HAPU”, e kthen Prishtinën në një park artistik lojërash

12 Korrik, 2019 - 12:04 pm

Rrona Jaka

Për herë të pestë me radhë, festivali i artit  “HAPU” e kthen Prishtinën në një park artistik lojërash.

“Ideja që do të humbasësh nuk mund të të ndalojë të mundohesh”,  këtë gjë na sugjerojnë akrobatët e trupës së cirkut francez Un Loup Pour I’Homme me lëvizjet e tyre gjatë hapjes së festivalit të artit në hapësirë publike “HAPU”, shkruan KultPlus.

Duke e shtyrë veten në skaje të aftësive të tyre, akrobatët kanë nisur rrugëtimin njëjavor të festivalit Hapu.

Me trupat e tyre, duke e mohuar plotësisht gravitetin, ata na kanë çuar në kufij të realitetit fizik.

Me skenar që i ngjason lojës pa rregulla, FACE NRD është përpjekur të ringjallë ndjesinë më të pafajshme dhe më fëmijërore të secilit prej nesh, në të njëjtën kohë duke treguar fuqinë dhe imagjinatën tonë.

Duke u grindur, shtyrë e vrapuar si dhe duke shpikur çdo herë rregulla të reja të lojës ata kanë krijuar një univers paralel si në imagjinatën e një fëmije.

Pas shfaqjes në sheshin ‘Skënderbeu’  është ndezur zjarri i festës për të vazhduar më tej në ambientet e teatrit Oda.

Aktoret Doresa Rexha dhe May-Linda Kosumovic, e kanë ftuar audiencën që të hapen edhe ata dhe të ndjejnë ritmin e muzikës dhe të hipnotizohen nga zjarri mbi kokat e vajzave.

Këtë vit HAPU është hapur edhe në Fushë Kosovë, duke i ftuar njerëzit të luajnë sikur askush nuk është duke parë, sepse sipas tyre, të luash nuk është luks apo instinkt fëmiror, por një mënyrë e sinqertë për ta kuptuar veten.

Gjatë ditëve në vazhdim, në festivalin e artit në hapësirën publike HAPU, do të mund të ndiqni debate, performanca dhe diskutime mbi artin, cirkun dhe gjithçka mes tyre.

Aktorët dhe performuesit kosovarë, italianë, francezë e gjermanë, do të tregojnë aftësitë e tyre, përgatitjen artistike si dhe kulturën e vendit nga i cili vinë, duke insistuar në çdo hap që të “hapeni edhe ju me ta”. /KultPlus.com

Të ngjajshme