Nis turneu veror i artistëve të TKOBAP-së

7 Korrik, 2025 - 10:15 pm

Si çdo sezon veror, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor do të ndërmarrë një turne mbarëkombëtar, duke ftuar artdashësit ta ndjekin në këtë rrugëtim plot art, emocione dhe udhëtime muzikore.

Artistët e Operas por edhe të Ansamblit Popullor do të dalin nga skena e Tiranës për të interpretuar në qytete si Berati, Durrësi, Gjirokastra, Ulqini, Tetova e Gjeneva, ku korriku sjell një kalendar të mbushur me shfaqje që i japin shpirt verës shqiptare.

Artdashësit do të mund të ndjekin balet nën yje, muzikë dhome që përqafohet me tingujt e stinës dhe bashkëpunime që lidhin trojet përmes artit. Këto janë vetëm disa nga surprizat që premton për këtë sezon veror TKOBAP.

Në datën 10 korrik, “Mullixhesha e bukur”, vepër që sapo është prezantuar në Tiranë, do të shfaqet në Pallatin e Kulturës të Beratit. Po në të njëjtën ditë, në Gjenevë të Zvicrës do të jepet shfaqja “Side event” me pjesë të muzikës folklorike.

Në 11 korrik do të jetë Amfiteatri i Durrësit ai që do të kthehet në skenë për balerinët e TKOB, me pjesën “From darkness to light”. Në Gjirokastër (15 korrik) do të vihet në skenë baleti “Cantata”, ndërsa në Ulqin (17 korrik) do të performojnë artistët e Ansamblit Popullor me “Folk on tour”.

Data 22 korrik do të jetë e veçantë për Tetovën, ku do të performojnë 3 ansamble njëherësh: Ansambli Popullor i Shqipërisë, Ansambli “Shota” i Kosovës dhe Ansambli i Maqedonisë së Veriut./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme