Nisi edicioni i parë i PITF, aktoret kroate sollën personazhet e përrallave në Kosovë

17 Tetor, 2017 - 10:34 am

Ekipi kroat me shfaqjen “Dhe jetuan të lumtura…?”,nisi edicionin e parë dhe rrugëtimin pesë ditorë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Prishtina International Theater Festival” brenda hapësirave të Teatrit AAB “Faruk Begolli”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje erdhi nën realizimin e produksionit të Ines Bojanic – Scena Gorica, me autore Nina Horvat dhe regji të Frana Marija Vrankovic, në shfaqje u paraqiten aktorët e shquara kroat: Jelena Hadzi Manev, Mia Krajcar, Doris Pincic Rogoznica dhe Selma Mehic. Kjo shfaqje synon njërin nga çmimet e këtij festivali, çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol kryesor, çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol dytësor, çmimi për regjinë më të mirë dhe për shfaqjen më të mirë.

Ilir Tafa, drejtori i këtij festivali bëri hapjen në pesë gjuhë të shteteve të cilat janë pjesë e këtij festivali, i cili paralajmëroi se do të jetë tradicional. “Jam shumë i lumtur që sot po e hapim këtë festival, dhe shpresoj që edhe viteve të tjera të jemi së bashku, trupat teatrale i falënderoj që kanë ardhur në Kosovë, që kanë ardhur në teatrin e AAB-së, që e mban emrin e aktorit tone të madh Faruk Begolli”, u shpreh Ilir Tafa.

Marija Kapitanoviq, Ambasadorja e Republikës së Kroacisë u shpreh e lumtur për hapjen e këtij edicioni me shfaqjen kroate, duke e cilësuar këtë festival si një derë e njohjes se kulturave fqinjësore.
“Ne kemi humbur lidhjet me njëri- tjetrin në kuptimin e njohurive lidhur me shoqëritë tona të modernizuara. Evente si këto bëjnë regjionet bashkë dhe kjo është e rëndësishme sepse ne duhet të jemi të lidhur jo vetëm për njëri-tjetrin por të rinjtë që janë këtu , të cilët duhet të njohin njëri- tjetrin, dhe kjo është mënyra e vetme për t’i hapur mendjet dhe të marrin njohuri të reja për të ardhmen e tyre”, ka thënë Kapitanoviq.

“Dhe jetuan të lumtura…?” solli mbrëmë komedinë e një nate të beqarisë, brenda ambienti të princeshave. Në skenë shfaqja nis me personazhin “Bukuroshja e fjetur”, e veshur me fustan të kuq, ajo zgjohet pas 100 vjetësh në një realitet modern, dhe gjatë tërë kohës shfaqet e pasionuar pas fotografisë dhe Instagramit ndërsa nesër pret ditën e saj të martesës me rreth 600 të ftuar. Për ta bërë edhe më kuptimplotë natën e saj të beqarisë shfaqen edhe personazhe të tjera të përrallave si “Hirushja” dhe “Borëbardha”. Personazhi i Hirushes solli mjaft energji brenda kësaj shfaqje, si një nënë e katër vajzave dhe e cila ndihet e tradhtuar nga burri por e cila mundohet të mos qaj kokën për problemet e saj dhe hakmerret po ashtu me tradhti.

Ndërsa “Borëbardha”, e gatshme ta dërgoi martesën e saj drejt divorcit, e përshkruan burrin e saj si një egoist. Në këtë natë të beqarisë personazhet harrohen në dehje dhe fillojnë të flasin çdo herë e më shumë për problemet e tyre lidhur me martesën dhe tradhtinë brenda saj, dashurinë, jetën e përditshme, punët e shtëpisë, argëtimin, kontrollin ndaj burrave, dëshirën për të pasur fëmijë dhe tema të tjera pikante, në të cilën aktorët shfaqin mjaft energji dhe humor.

“Bukuroshja e fjetur”, rrezikon të humbas dasmën e saj të ëndrrave pasi që ajo zbulon tradhtinë e saj ndaj burrit të saj të ardhshëm, me burrin e njërës nga personazhet në skenë.

Megjithëse e mllefosur, ajo si duket e pranon faljen dhe e gjithë shfaqja përfundon me këngë dhe vallëzim nga personazhet e përrallave. Kjo ishte nata e parë e PITF, festival ky i cili mbushi sallën e teatrit ‘Faruk Begolli’. Ky festival do të vazhdoi të sjellë shfaqje të ndryshme deri më datë 21 tetor./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme