Një natë, katër shfaqje në Prizren Fest

24 Korrik, 2025 - 12:57 pm

Mbrëmja e 23 korrikut në kuadër të Prizren Fest 2025, solli një përvojë të veçantë kulturore, ku katër shfaqje të ndryshme u shpalosën si një mozaik emocionesh të thella, ngjyrash artistike dhe zërash që sfidojnë kohën. Nga përrallat mitologjike, te humori edukativ, nga heshtjet e dhimbshme të abuzimit, tek hakmarrja e përgjakshme e tragjedisë antike.

Mbrëmja nisi me një magji vizuale nga kompania turke “Ucaneller Kuklaevi”, e cila përmes kukullave  solli histori mitologjike.Përmes personazheve të njohura si Perëndësha e Dashurisë dhe Bukurisë Afërdita, kutia e pandorës dhe fija e Ariadës krijuan një atmosferë shprese dhe ëndërrimtare që preku imagjinatën e të rriturve po aq sa të fëmijëve.

Pas saj, në një tjetër skenë, “Libri Magjik”  e cila dhuroi humor, energji dhe një mesazh edukativ mbi rëndësinë e librit.

Ndërkohë, në teatrin “Bekim Fehmiu”, zëri i artit mori një ton më të errët, më të thellë, heshtja fliste me pesë fytyra të ndryshme , një dramë rrënqethëse nga Shqipëria që tronditi publikun, me të vërtetën e dhimbshme për dhunën në familje dhe trashëgiminë e saj psikologjike.

Në fundin e kësaj mbrëmje, publiku u zhvendos në Katedralen Katolike, ku tragjedia antike “Elektra” e Sofokliut u kthye në jetë përmes një regjie të fuqishme dhe interpretimesh tronditëse. – “Elektra” e Sofokliut na kujtoi se tragjedia nuk plaket kurrë, dhe se hakmarrja mbetet një plagë e hapur që pikon gjak edhe në heshtje!

PRIZREN FEST do të vazhdoj deri më 28.07.2025 me shumë shfaqje tjera./ KultPlus.com

Të ngjajshme