Një shfaqje “e gjelbër” nga Izraeli në Teatrin e Kukullave

10 Qershor, 2025 - 11:42 am

Java Kulturore Izraelite nisi dje, në Teatrin e Kukullave, me një udhëtim përmes magjisë që sjell loja me kukulla.

“When All Was Green” ishte shfaqja që rrëfeu, pa asnjë fjalë, por me shumë ndjenjë, historinë e një djali dhe një peme që sfidojnë bashkë botën gjithnjë e më të betonizuar, me rrënjët e shpresës që nuk shuhen kurrë.

Pas shfaqjes, artistët ndanë me publikun prapaskenat e krijimit të veprës së tyre dhe iu përgjigjën pyetjeve të kureshtarëve të vegjël dhe të gjithë pjesëmarrësve që e përjetuan me emocione këtë histori pa fjalë.

“When All Was Green” u realizua nga Dikla Katz dhe Avi Zlicha. Duke përdorur libra të vjetër, kopertina të ricikluara dhe faqe të zverdhura, artistët ndërtojnë një univers ku fëmijëria dhe natyra takohen me betonin e gri të qyteteve moderne. Me 16 çmime ndërkombëtare dhe me turne në më shumë se 30 vende të botës, kjo shfaqje prek çdo publik pa përjashtim, sepse përçon mesazhe të thella pa asnjë fjalë, duke komunikuar përmes emocioneve dhe artit të lëvizjes.

Aktiviteti tjetër i Javës Izraelite do të jetë më 11 qershor, te instalacioni Reja, ku do të zhvillohet koncerti i “Orphaned Land”, një nga legjendat më të shquara të rock-ut izraelit.

Java Kulturore Izraelite do të mbyllet më 12 qershor, me baletin modern “I carry you hold” nga Olivia Court Mesa dhe Yochai Ginton që do të shfaqet në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ky duet eksploron marrëdhëniet midis një gruaje dhe një burri ku nuk ekziston pushteti apo nënshtrimi. Bëhet fjalë për një dialog trupor të ndërtuar me delikatesë dhe intensitet, që reflekton mbi barazinë, ndjeshmërinë dhe emancipimin./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme