Organizohet edicioni i dytë i Festivalit të Teatrit për Fëmijë në Berat

31 Maj, 2022 - 2:43 pm

Festivali i Teatrit për Fëmijë “Një Mbi Një Dritaret”; vjen në edicionin e tij të dytë, më datat 1-10 qershor.

“Një Mbi Një Dritaret”, është evenimenti dhe risia më e madhe që qyteti i Beratit sjell në Shqipëri si një festival teatror për fëmijët e të gjitha trevave shqipfolëse, njoftoi sot bashkia e Beratit.

Një eveniment teatror si kurrë më parë, do të mbledhë bashkë artistët e vegjël, traditat dhe kulturat e qyteteve të ndryshme dhe trevave shqipfolëse jashtë kufijve, në një qytet, në një skenë, nën moton “Berati Qyteti i Fëmijëve”.

Ky festival, që organizohet me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, nëpërmjet programit PIUTD dhe në partneritet me Bashkinë Berat, ka si qëllim promovimin dhe nxitjen e artistëve të vegjël dhe qendrave kulturore për fëmijët në të gjithë Shqipërinë, si nevojë e përbashkët e edukimit të brezave të rinj me artin dhe kulturën shqiptare.

Për 10 netë qyteti i Beratit mirëpret bashkitë sipas kalendarit të mëposhtëm të festivalit:

1 qershor – Berat

2 qershor – Kukës

3 qershor – Tiranë

4 qershor – Fier

5 qershor – Vlorë

6 qershor – Dimal

7 qershor – Shkodër

8 qershor – Korçë

9 qershor – Elbasan

10 qershor – Durrës

Nata përmbyllëse e këtij festivali teatror do të përkojë gjithashtu me ceremoninë e dhënies së çmimeve./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme