Pas vdekjes së regjisorit Bekim Lumi, vjen repriza e parë e shfaqjes së tij “Arturo Ui”

19 Shtator, 2018 - 9:20 pm

Shfaqja “Arturo Ui”, e punuar nga regjisori tashmë i ndjerë Bekim Lumi, ishte ëndrra e tij e fundit e bërë realitet, shkruan KultPlus.

“Arturo Ui”, shfaqja e krijuar mbi tekstin e dramaturgut të shquar gjerman dhe botëror, Bertoltt Brecht (1898 – 1956), erdhi me premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës në muajin qershor të këtij viti dhe u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga një audiencë e madhe që ishte mbledhur atë natë.

Bekim Lumi nuk ishte i pranishëm fizikisht as në premierën të cilën e ëndërroi gjatë, këtë ja pamundësoi sëmundja e cila atë natë gjeti t’i përkeqësohej edhe më shumë.

Por, fryma e tij nuk mungoi në skenën e teatrit kombëtar, dhe ajo shfaqje do mbetet gjatë në memorien e artdashësve.
Kasta e aktorëve të kësaj shfaqje që ishte në përbërje të: Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj, u munduan të sjellin në çdo cep të skenës frymën e Bekim Lumit.

Ndërsa tani vjen repriza e parë e shfaqjes pas vdekjes së regjisorit Bekim Lumi, ku aktorët do të mundohen të mos vërehet mungesa e Bekimit. Ato do luftojnë me shpirtin e tyre artistik që puna dhe ëndrra e regjisorit të tyre të jetësohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Nesër, më datë 20 shtator, në ora 20:00 vjen repriza e parë e shfaqjes pas vdekjes së regjisorit.

Me formën, me përmbajtjen, me frymën dhe me vetat e saj, kjo dramë, në mënyrë simbolike, përshkruan, tematizon dhe pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ‘30 të shekullit 20. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, trysnitë, tagri dhe kërcënimet ndaj tregtarëve, politikanëve e gazetarëve, deri edhe vrasjet e tyre, alibitë dhe gjyqet farsë, detyrimet e dhunshme dhe shantazhet ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame. Për shkak të temës që e trajton dhe për shkak të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, kjo dramë ndërlidhet me shumë nga trendet dhe zhvillimet e përçudshme nëpër botë. Si e tillë, ajo vlerësohet si një nga satirat ma të mira politike dhe historike të shekullit ‘20. “Arturo Ui” nuk është inskenuar asnjëherë deri tani në Kosovë.

Kjo shfaqje erdhi premierë në 120 vjetorin e lindjes së Bertolt Brecht-it dhe 20 vjetorin e artit dhe krijimtarisë së regjisorit Bekim Lumi.

Regjisori Bekim Lumi, ndërroi jetë më datë 20 korrik të këtij viti si shkak i një sëmundje të rëndë prej të cilës vuante prej kohësh. Lumi ishte një prej regjisorëve më të mirë shqiptarë. / KultPlus.com

Të ngjajshme