Për herë të parë, teatri 3D për fëmijët në Lezhë

11 Tetor, 2017 - 9:00 am

Në Lezhë u soll për herë të parë teatri 3D për fëmijët. Shfaqja “Mendo për shëndetin tënd” e realizuar nga qendra kulturore e fëmijëve “Gjergj Lacaj” në bashkinë Lezhë u prezantua në ditën botërore të shëndetit mendor.

Në skenë u ngjitën 20 fëmijë dhe 10 të rritur që aktruan për fëmijët, ndërsa synohej që të promovohej mënyra e shëndetshme e të ushqyerit. Kjo pjesë duket se u kuptua edhe nga fëmijët. Ata e përjetuan bukur këtë ndjesi të parë dhe argëtuese për ta.

“Salla e mbushur me fëmijë dhe duartrokitjet e tyre tregon që kjo qendër po rikthehet në funksionin e vetë”, tha nënkryetarja e bashkisë Alfrida Marku, e pranishme në shfaqjen e premierës. Sipas saj, në skenën e kësaj qendre nuk po vijnë vetëm risi, por shfaqje që kishin munguar prej vitesh. Eksperiencë e re, e bukur dhe mjaft emocionuese.

Regjisori i shfaqjes Klodian Marku dhe skenografi Tonin Kolathanë se puna me fëmijët ishte diçka ndryshe, por që do ta bënin sërish. Ka qenë një eksperiencë e paprovuar më parë, e veçantë për mënyrën e realizuar dhe sigurisht tejet emocionuese, ndërsa shihje fëmijë që gëzojnë dhe shoqërojnë me kureshtje të gjithë shfaqjen.

Realizimi për shfaqje të tilla është i vështirë, por për përgjegjësin e qendrës kulturore të fëmijëve në Lezhë, Marcel Lacaj fakti që me gjithë vështirësitë shfaqja u realizua, tregon se kur ka vullnet gjithçka tejkalohet.

Teatri 3D në Lezhë do të nisë menjëherë përgatitjet për realizimin e një tjetër shfaqjeje në kuadër të vitit të Skënderbeut dhe gjithçka do të jetë gati në 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar. Shfaqja “Mendo për shëndetin tënd” do të vijojë të jepet edhe për fëmijët e tjerë te kopshteve në Lezhë./ KultPlus.com

Të ngjajshme