“Pristine Conditions” me koreografi të Arthur Kuggeleny do të prezantohet nesër me premierë

8 Maj, 2019 - 3:22 pm

“Pristine Conditions” me koreografi të  Arthur Kuggeleny do të prezantohet nesër me premierë

Arthur Kuggeleny nesër do të prezantojë punën e tij koreografike që e ka realizuar tash e sa kohë brenda Baletit Kombëtar të Kosovës e për audiencën kosovare do të vjen premierë nëpërmjet shfaqjes “Pristine Conditions”.

Është hera e tretë që koreografi Arthur Kuggeleny po vjen me punën e tij në Kosovë, mirëpo shfaqja e tij e fundit po shënon premierën e dytë për këtë sezon në kuadër të këtij institucioni kulturor.

“Jam shumë i emocionuar, mezi po pres të shoh reagimet e publikut nga kjo shfaqje”, ka thënë Arthur Kuggeleny, i cili tha që ndjehet i lumtur për rikthimin e tij në Prishtinë, tash e tri herë. Ai ka thënë se nëpërmjet kësaj shfaqje ai do të sjellë një ndjenjë ndryshe dhe ka shprehur dëshirën që këtë shfaqje ta shohin sa më shumë njerëz.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi ka thënë se me këtë premierë do të prezantohen në mënyrën më të mirë.

“Kjo është premiera e dytë për vitin 2019, jam i bindur që nesër para publikut do të dalim në mënyrën më të mirë të mundshme” tha Kajtazi.

Ai po ashtu shtoi që Arthur është një koreograf i njohur evropian dhe se që nga 1 prilli është duke u përgatiture për këtë shfaqje.

“Arthuri është një koreograf i njohur evropian, ne jemi me fat qe kemi punuar me të, jam shumë i bindur që nesër do të prezantohemi me një shfaqje të re” u shpreh ai.

E balerini Kreshnik Musolli tha që për të ka qenë një përvojë e mirë pjesëmarrja në këtë shfaqje.

“Ka qenë përvojë e mirë sepse është stil i veçantë i tij dhe jo gjithçka është e përgatitur paraprakisht”, ka thënë Musolli, duke shpjeguar se çdo ditë kanë zbuluar diçka të re me këtë koreograf, duke nisë nga lëvizjet e vogla për ti shndërruar më pas si pjesë të rëndësishme të projektit.

Kjo premierë shfaqet të enjten, në ora 20:00, kurse reprizat e kësaj shfaqje do të jenë në kuadër të Baletit Kombëtar të Kosovës. / Gzim Mujaj/ KultPlus.com

Të ngjajshme