Realiteti i grave kosovare vjen nesër nëpërmjet shfaqjes “Një ditë”, nga Trupa e Baletit të Kosovës

24 Nëntor, 2017 - 4:17 pm

Në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas, Baleti Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me UN Women, nesër më 25 nëntor do të sjellin për publikun premierën e shfaqjes “Një ditë”, e cila vjen nën koreografinë e Christie Coleman, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

“Një ditë”, në skenë do të vije përmes lojës së tetë balerinëve, në përbërje të katër çifteve ku bëjnë pjesë balerinët: Teuta Krasniqi, Sead Vuniqi, Leonora Rexhepi, Fisnik Smani, Fatmir Smani, Vjollca Llugiqi, Jeta Musolli dhe Donmir Biblali.

Kjo shfaqje është e frymëzuar nga tregimet e vërteta të grave të Kosovës, duke vënë në pah disa çështje gjinore në Kosovë. Shfaqja e titulluar “Një ditë” do të sjellë në skenë një ditë të familjes tradicionale, ku përmes personazheve do të preken disa nga çështjet kryesore me të cilat përballen gratë gjatë gjithë jetës së tyre. Hapja e kësaj shfaqje do të fillojë në mënyrën më të jashtëzakonshme, që do të nxjerrë shikuesit jashtë sallës së teatrit. Gjithçka do të nis para objektit të Teatrit, ku do të paraqitet një grua me një vallëzim të lirë, ndërsa më pas kufizohet brenda nga anëtarët e familjes të cilët i përkasin gjinisë mashkullore.

Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës sot gjatë një konferencë për media ka thënë se projekti është ofruar nga UN Women, ndërsa tregoi se shfaqja trajton temën e dhunës brenda dhe jashtë familjes.

“E kemi sjellë një punë të përbashkët me iniciativë të stafit të UN Women, të cilën ne e kemi pranuar me shumë kënaqësi. Për këtë shfaqje është bërë një punë shumë serioze, pasi që kemi punuar shumë së bashku në mënyrë që të sjellim një shfaqje sa më të suksesshme. Kjo shfaqje arrin që përmes lëvizjeve dhe përmes interpretimit ta thotë tekstin”, është shprehur drejtori i BKK-së, Ahmet Brahimaj.

Koreografja Christie Coleman, tha se përmes kësaj shfaqje do të trajtojnë një realiteti që prek edhe jashtë kufijve të Kosovës ndërsa shtoi se është ndjerë shumë e kënaqur që të bashkëpunoj për të dytën herë me trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Jam kënaqur gjatë realizimit të kësaj shfaqje. Është shumë nder për mua të punoj me trupën e Baletit të Kosovës, valltarët e kësaj trupe janë shumë të mirë dhe punojnë me mjaft përkushtim. Shfaqja është e bazuar nga tregimet e njerëzve që jetojnë në Prishtinë por shumica e gjërave që ajo nxjerr në pah janë edhe probleme ndërkombëtare, kam dëgjuar që tregime të njëjta brengosin edhe miqtë e mi në Nju Jork . Andaj lidhur me këtë çështje ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar në mënyrë që ta bëjmë progresin. Ne duhet të punojmë së bashku në mënyrë që ta rrisim barazinë gjinore”, ka thënë koreografja Coleman.

Vlora Nushi, nga Agjencioni i Kombeve të Bashkuara – UN Women, thotë se ky është aktivitetit qendror në kuadër të fushatës gjashtëmbëdhjetë ditore për sensibilizimin e shoqërisë lidhur me dhunën ndaj gruas.

“Un Ëomen e udhëheq globalisht për gjashtëmbëdhjetë ditë fushatën kundër dhunës ndaj gruas. Këto aktivitete në Kosovë dhe vende të tjera shërbejnë për sensibilizimin e njerëzve kundër dhunës ndaj grave. Këtë vit, ky është aktiviteti qendror të cilin më shumë dëshirë e ka mbështetur drejtoresha jonë, Flora Macula në bashkëpunim me teatrin kurse përmes një performance të Baletit Kombëtar të Kosovës pasqyrohen marrëdhëniet ndër-njerëzore dhe pabarazitë që lindin ndërmjet çifteve në jetën tonë të përditshme”, ka thënë Vlora Nushi sot gjatë konferencës për media.

Kjo shfaqje do të vjen nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 20:00. Shfaqja “Një ditë” shënon premierën e pestë për këtë vit nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme