Regjisorja Nura sjell premierën e radhës në Teatrin e Pejës

4 Qershor, 2019 - 12:30 pm

Në Teatrin Profesionist të Pejës “Istref Begolli”, së shpejti do të jepet premiera e shfaqjes “Mirandolina”, me regji të Elmaze Nurës.

Një nga veprat e njohura të dramaturgjisë botërore Komedia “Mirandolina” e autorit të njohur Italian Karlo Goldon, po vihet në skenë me trupën e aktorëve të këtij teatri.

Provat kanë hyrë në një fazë intesive, ndërsa premiera është planifikuar që të shfaqet në Ditën e Çlirimit të Pejës, me 16 qershor. Edhe pse vepra është shkruar që në shek.XVIII, ajo përcjell mesazhe emancipuese dhe i flet realitetit tonë.

“Mirandolina” është vënë në skenë për herë të parë në Venecia në 1752. Komedia ka porosi të forta për pozitën e femrës, një debat që zhvillohet edhe sot për trajtimin që i bëhet asaj edhe në shoqërinë kosovare.

Komedia më moderne e komedianit italian Carlo Goldoni, përball femrën me mashkullin në skenën teatrore. Goldoni si një mjeshtër i madh i karaktereve dhe në një kohë kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore, e ngre lart figurën e Mirandolinës, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale.

“Përmbajtja e komedisë sjell situata të këndshme humori dhe me konceptin tim regjisorial, bashkë me trupën e Pejës, jemi duke bërë një shfaqje me vlera të larta artistike dhe të pëlqyer nga publiku”, u shpreh regjisorja Elmaze Nura, e cila vlerësoi angazhimin e ekipit të shfaqjes.

Edhe në shoqërinë kosovare, ku shfaqet shpesh një kulturë tejet maskiliste kjo vepër është apel për emancipim. Vepra të tilla kanë mesazhe pa fund dhe secili spektator shikon diçka nga vetja, që është e mishëruar tek karakteret e veprës, si tradhtia, xhelozia, dashuria, etj.

Muzikën e shfaqjes po e bën Gëzim Hasani, skenografinë Dhurim Ismajli, ndërsa për kostumografinë është duke punuar Alma Krasniqi.

Të ngjajshme