Rexhep Luci “u ringjall” mbrëmë për të kujtuar dhe kritikuar kaosin urbanistik në Prishtinë

25 Shtator, 2019 - 11:30 am

Qendrim Badalli

Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës është “ringjallur” Rexhep Luci. Ai u bë i gjallë në mesin tonë përmes premierës “Pesë stinët e armikut të popullit”, sa një shfaqje përkujtimore, sa një kritikë direkte ndaj degradimit urbanistik në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje kishte ngërthyer rreth vetes një numër të madh të njerëzve të cilët teksa po rehatoheshin në ulëse, dritat u fikën, kjo ishte një shenjë që tashmë heshtja duhej të bëhej mbreti i mbrëmjes. Skena mirëpriti aktorët të cilët me tu shfaqur në skenë, përmes lëvizjeve të tyre duke e shtyrë njëri-tjetrin, përcollën mesazhin e kaosit dhe ngulfatjes së Prishtinës në Kosovën e pasluftës.

Minutë pas minute, gjithçka po qartësohej e po thjeshtësohej. Në skenën me një pamje unike, aktorët me rolet e tyre i dhuruan publiku emocione të pafundme për një të vërtete historike që u transmetua me një gjuhë të sofistikuar artistike dhe ironike. Një arkitekt i zoti, i angazhuar për çështjet publike, për të mirën e përgjithshme, së bashku me vajzën e tij tek luftonte për një plan të mirë urbanistik. Një përfaqësues i Sindikatës që korruptohet lehtë dhe manipulohet në vazhdimësi. Një biznesmen nga industria e ndërtimit që prezantohej nga një prezantuese emisionesh si “filantropist” si dhe krejt në fund, por jo edhe për nga rëndësia, aty ishte edhe një ambasador i huaj, teksa ndërtimet e egra në qytet i mbulonte me domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë, njëkohësisht i përfshirë në aferë të ndryshme korruptive dhe jo vetëm.

Kështu po zhvillohej ngjarja, nën mjeshtërinë e regjisores, Blera Nezirajt, me tekstin e dramaturgut, Jeton Neziraj, si dhe lojën e mrekullueshme të aktorëve: Armend Smajli, Shpëtim Selmani, Egzona Ademi, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj dhe Verona Koxha. Vrasja e arkitektit në skenë u shoqërua me vendosjen e një pllakate në vendin ku ai u vra, dhe ajo rrugë quhet Rruga “Rexhep Luci”, këto vendime u morën nga vrasësit e tij. Në anën tjetër vajzës së tij po i propozohej që ta lëshonte Kosovën në mungesë të perspektivës. Kjo skenë shënoi momentin më vendimtar në përfundimin e kësaj shfaqjeje. Të pranishëm në Teatrin Kombëtar të Kosovës, kanë qenë një numër shumë i madh i publikut si dhe disa personalitetet të njohura nga bota e artit, kulturës dhe përgjithësisht sferës publike.

Në një intervistë dhënë KultPlusit, dramaturgu Jeton Neziraj ka shprehur përshtypjet e tij për premierën e dhënë mbrëmë. Ai ka thënë se bazuar në vlerësimin e tij dhe në reagimet e publikut, ngjarja ka shkuar mirë. “Mendoj që ka kaluar mirë, kështu e pata së paku përshtypjen prej reagimeve të publikut, megjithatë ndoshta më mirë është që publiku ta komentojë. Ka qenë një proces i gjatë dhe premierat dinë të kenë ngërçe, tensione, aktorët kanë stres dhe emocione por përshtypja ime është që shfaqja shkoi mirë, kishte ritëm, energji të mirë edhe prej publikut edhe nga aktorët”.

Tutje, Neziraj ka thënë se përmes shfaqjes së djeshme është arritur të transmetohet mesazhi që është synuar nga ta. “Po besoj që po, natyrisht duhet parë edhe reagimet dhe komentet e publikut por besoj se është realizuar ajo se çfarë kemi dashur ta plasojmë tek publiku, të tjerat janë çështje që nuk varen nga ne por na reagimi i publikut, prej mënyrës sesi publiku e ka pritë këtë shfaqje”.

Si veçanti e kësaj shfaqjeje, Neziraj ka thënë se ngjarja e shfaqjes ka qenë ajo çfarë e ka dalluar nga të tjerat. Ai ka shtuar se duke marrë parasysh se publiku e ka njohur personazhin për të cilën flitej në ngjarje. “Po është më ndryshe në kuptimin që merr shkas prej një ngjarje të cilën ne e dimë, dhe që pavarësisht që këtu nuk ju referohemi me emër, publiku e ka të qartë se bëhet fjalë për Rexhep Lucin dhe në këtë drejtim kemi pas pak më shumë përgjegjësi. Përgjegjësi ka gjithmonë, por në raste si kjo kur e dinë që publiku e identifikon personazhin drejtpërdrejt, natyrisht shtohet përgjegjësia. Por krejt në fund besoj se ja kemi arritur”.

Ngjarja në fund ka përfunduar me një koktej rasti për të pranishmit me ç’rast kanë shkëmbyer përshtypjet e tyre për shfaqjen në fjalë. / KultPlus.com

Të ngjajshme