Rrugëtimi 15-të vjeçar i Teatrit ODA dhe shfaqja që shndërroi Kosovën në parajsë

2 Mars, 2018 - 7:16 pm

Alberina Haxhijaj

I vendosur në Pallatin e Rinisë, në vitin 2002, shumë njerëz kanë qenë skeptik ndaj Teatrit Oda, në fillimet e tij. Mirëpo teatri i cili u bë shtëpia e dytë e shumë artistëve arriti që shpesh herë të vendoste Kosovën në hartën kulturore së bashku me vendet e tjera ndërkombëtare.

Shënimi i 15-të viteve punë e mund u bë me premierën e shfaqjes “Lufta e tretë botërore – komedi ndoshta, diçka diçka, s’po di s’po di”, tekst ky i shkruar nga Lirak Çelaj dhe Rozafa Çelaj, me regji të Florent Mehmetit.
Themeluar me iniciativën e aktorit Lirak Çelaj dhe regjisorit Florent Mehmeti, Teatri Oda ka mbijetuar falë aktorëve të cilët kanë ndihmuar themeluesit në këtë rrugëtim. Sipas Lirak Çelaj, situata në të cilën gjendet ky teatër është akoma e vështirë edhe pas më shumë se një dekade.

“Një Teatër Kombëtar që e kemi në Prishtinë dhe duke llogaritur edhe Dodonën, e cila fatkeqësisht nuk i përmbushë të gjitha kriteret për një teatër, e kemi parë që artistët kanë nevojë për hapësirë për të realizuar veprat e tyre. Pastaj pas shkarkimit nga pozita si drejtori i TKK-së se bashku me Florentin u angazhuam për gjetje të një hapësirë dhe rastësisht ishte kjo ku jemi edhe sot. Ky rrugëtim 15-të vjeçar ndodhi, një rrugë shumë e vështirë, vet fakti që kemi mbetur akoma një teatër i pavarur në këtë hapësirë tregon sa sfiduese është kjo”, u shpreh Çelaj për KultPlus, duke shtuar se do të ishte në dobi të të gjithëve që të kishte më shumë hapësira të tilla improvizuese.

Premiera “Monologët e Vaginës” është data e cila konsiderohet edhe ditëlindja e teatrit e cila mblodhi rreth vetes artistët të cilët dëshironin të eksperimentonin me shfaqjet e tyre. Madje edhe vetë fillimi i punës mund të konsiderohet i tillë, kjo për arsye se artistët ishin në kërkim të hapësirave improvizuese dhe filluan që të punon në hapësirat e një diskoteke e cila zhvillonte aktivitetet e saj gjatë vikendit. Pesë ditët tjera të javës, kjo hapësirë iu takonte artistëve. Mirëpo këta artistë ishin përgatitur për të sjellë sa më shumë produksione teatrale por jo edhe për t’u përballur me menaxhimin e kësaj hapësire.

Sipas Florent Mehmetit, politikat kulturore nuk kanë ndryshuar as pas 15-të viteve.

“Pas shpalljes së Pavarësisë është menduar se me sektorin kulturor do i tregojmë botës që jemi shtet mirëpo duke e përforcuar kulturën institucionale ajo e pavarura edhe më shumë ka rënë në hije. Unë jam për ngritje të kualitetit të kulturës institucionale mirëpo nuk duhet me e lënë me kaq pak përkrahje një skenë e cila ka dëshmuar veten, ka qenë ambasadori më i mirë i jashtëm, ka mbajt gjallë flakën kulturore të këtij vendi”, u shpreh Mehmeti.

Ai për KultPlus ka kujtuar momentin kur pas shfaqjes “Muret e Padukshme” që për rrëfim ka izolimin, Robert McDowel i cili është pronar i “Summerhall”, një prej qendrave më të mëdha kulturore të Edinburg në shenjë respekti ka ngritur flamurin e Kosovës dhe atë kombëtar në kulmin e “Summerhall”, të arriturat e Festivalit të Artit në Hapësira Publike “Hapu”, shfaqja “Doruntina” në New York dhe sukseset tjera. Pastaj vjen edhe shfaqja “Tre gjermanët e trashë”, për të cilin kishin edhe dyshimet më të mëdha se si do të pritej si komedi nga publiku. Në anën tjetër pikërisht 15- vite erdhën me një komedi në të cilën “Kosova” është shteti i ëndërruar nga të gjithë.

Komedia e vendosur në një shtab të KFOR-it ku ndërkombëtarët vendosin për fatin e Kosovës, merr një kthesë drastike. Për shkak të Luftës së Tretë Botërore, të gjitha vendet shkatërrohen, përveç Kosovës, e cila kthehet pastaj në një parajsë për vendet e tjera, dhe pritjet për të hyrë në Kosovë janë të gjata. Kështu Kosova për herë të parë fillon pushtimet e vendeve të tjera pas urdhrave të dhëna nga Mbretëresha e vetëshpallur, e cila ishte përkthyese për KFOR-in para luftës.

“Komeditë e kanë një mision shumë të mirë, mundesh me u fsheh pas maskës së lolos dhe me thënë jo, jo, po boj hajgare. Komedia e ka këtë mision dhe një strukturë të duhur. Shfaqja është një komedi fiktive e cila përkon me realitetin por është dërguar në një nivel shumë fiktiv për me e kthye komplet në të kundërt situatën Një shtet super të izoluar e vendos në një situatë ku të gjithë dojnë me shku në të, pasi që është e vetmja parajsë”, u shpreh regjisorit Florent Mehmeti, për shfaqjen e cila lë prapa pyetjen, çfarë nëse ajo që konsiderohet si shaka të ndodhë më të vërtetë?

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë Kushtrim Qerimi, Rina Krasniqi, Gojart Kqiku, Daniela Markaj, Kaltrinë Zeneli, Flamur Ahmeti. Kostumet janë realizuar nga Vesa Kraja, asistente regjie Rozafa Çelaj ndërsa projekti është përkrahur nga : MKRS dhe Melodia PX. / KultPlus.com

Të ngjajshme