SHATK kërkon anulimin e menjëhershëm të konkursit për Drejtor Artistik në TKK

25 Janar, 2021 - 2:09 pm

Në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar është hapur konkurs për Drejtor Artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe pikërisht ndaj këtij konkursi ka reaguar Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës të cilët e kanë konsideruar në kundërshtim me ligjin për Teatër.

Sipas tyre kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Pra, konkursi në fjalë është hapur për një pozitë të punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, andaj kërkohet edhe anulimi i menjëhershëm i këtij konkursi dhe  të hapët konkursi i ri, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell edhe reagimin e plotë të SHATK-së:

Kërkesë ndaj MKRS për anulim të Konkursit me nr. Reference 4163/2020 (Titulli i punës: Drejtor Artistik; Institucioni: Teatri Kombëtar i Kosovës)

Datë: 25 Janar 2021

Ref: K-01/21

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) me vëmendje të shtuar është duke e përcjellur procesin e përzgjedhjes së udhëheqësve të ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në kuadër të mandatit të shoqatës është realizuar një vlerësim i dokumenteve bazike të Konkursit Zyrtar të hapur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit. Gjatë këtij vlerësimi është vënë re që njëri prej dy konkurseve është në kundërshtim me ligjin për Teatër. Në Konkursin me referencë 4163/2020 specifikohet Titulli i Punës i konkursit që është “Drejtor Artistik”. Kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Teatri Kombëtar i Kosovës ka vetëm një drejtor, atë të Përgjithshëm. Njëherit ka edhe udhëheqës të ndryshëm, ndër ta edhe Udhëheqësin Artistik.

Pra, Konkursi në fjalë është hapur për një pozitë të punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Si i tillë ky konkurs nuk është valid, dhe është jo-legjitim. Për këtë arsye SHATK kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë, dhe pa humbur kohë të hapet konkursi për Udhëheqësin Artistik të TKK.

Me respekt,

Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës:

Armend Smajli

Erson Zymberi

Faris Berisha

Kushtrim Koliqi

Rebeka Qena. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme