Shfaqet premiera ‘Zanat e Luleve’, balerinat e vogla emocionuan të gjithë me lojën e tyre artistike

20 Qershor, 2021 - 3:59 pm

Xhemile Hysenaj

Fotografitë: Riard Bllaca

Sot, skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ishte mikëpritëse e Zanave të vogla që me ngjyrat e bukura e lojën e tyre skenike i dhanë jetë tingujve të gërshetuar të muzikës klasike e asaj moderne. Premiera ”Zanat e Luleve” e realizuar nga Studio ”Let’s Dance” të Vjollca Llugiqit, mboldhi fëmijët e moshave të ndryshme, të cilët shpirtin e tyre artistik e shpalosën përmes baletit, shkruan KultPlus.

Tingujt e kompozitorëve si Antonio Vivaldi, Tchaikovsky, Chopin etj, erdhën si të ishin punuar pikërisht për këta fëmijë, që dukej sikur trupat e tyre bashkëvepronin me secilën notë të shkruar nga ata . ”Zanat e Luleve” shfaqi secilën balerinë si një mishërim të luleve që rriteshin, zhvilloheshin e freskinë e tyre ia falnin botës.

Shfaqja filloi nga Zanat e Vogla që performancën e tyre e realizuan nën tingujt e Secret Garden, ndërkaq u mbyll me këngën e bukur shqipe ”Me lule të bukura” të interpretuar nga Eliza Hoxha.

Balerinat ishin entuziaste dhe kjo gjë pasqyrohej në fytyrën e secilës prej tyre, e sidomos kur pas përfundimit të secilës performancë duartrokitjet nga audienca e stërmbushur me prindër krenarë, nuk ndaleshin. Mirëpo, e veçanta e kësaj shfaqjeje qëndron në faktin se pjesë e kësaj trupe balerinësh ishin edhe disa fëmijë me aftësi të kufizuara, duke përçuar kështu direkt mesazhin se dallimet duhet të evitohen në secilën fushë e veçanërisht kur bëhet fjalë për fushat artistike.

Vjollca Llugiqi e cila ka 20-të vite që është bërë një me artin e bukur të baletit, nuk e ka pasur aspak të lehtë këtë rrugëtim. Ka realizuar diku rreth 60-të premiera dhe ndër to edhe shumë role kryesore. Llugiqi është ndër balerinat që asnjëherë nuk është dorëzuar dhe tash e dhjetë vite, talentin e saj e ndan dhe ua mëson edhe fëmijëve të tjerë. Lumturia e madhe, ishte e paevitueshme nga ana e saj, e cila menjëherë pas shfaqjesh u vërshua me lule e përqafime të shumëta nga nxënësit e saj.

”Më kanë dhënë një emocion të papërshkruar, akoma jam në emocione, sidomos tash që të gjithë janë të lumtur dhe po vijnë drejt meje me urime e përqafime. E veçanërisht prindërit e këtyre fëmijëve që vërehet se janë emocionuar tej mase”, thekson Llugiqi për KultPlus.

Ishin lulet, ngjyrat e shumëllojshme e buzëqeshjet disa nga elementet që mbizotëruan sot në Teatrin Kombëtar. Me përqafime të shumëta, lot gëzimi e urime që nuk kurseheshin nga prindërit për mësuesen Llugiqi, u dëshmua edhe njëherë para publikut se baleti vazhdon të mbetet një nga artet më të veçanta skenike.

Më poshtë mund të gjeni listën e plotë të balerinave që performuan në shfaqjen ”Zanat e Luleve”.

Solistet e mëdha: Lea Hamza, Edita Zeka, Noela Selishta, Eda Isufi, Viktorija Simpson, Rita Gashi, Puhizë Nuhiu, Duesa Berisha, Arta Makovci, Margarita Berisha, Jeta Istrefaj, Dite Shala dhe Kanina Mulaj.

Solistet e vogla: Unika Surkishi, Amara Haliti, Ami Gojani, Etna Sherifi, Liza Rrahmani, Buna Azemi, Rejna Beqiri, Alea Dvorani, Reas Hertica, Anna Krasniqi, Ninna Krasniqi, Drea Zakuti, Nina Beha, Eda Godanci dhe Tiara Kamberi.

Lulet e Malit: Erina Bislimi, Livia Haxholli, Jora Braha, Valëza Maqedonci, Diella Maqedonci, Ambla Haliti, Toena Nushi, Bleta Pitarka, Bora Spahiu, Narta Axhanela, Elena Lipsckomb, Eda Sekirqaq, Morea Llapashtica, Erina Zeqiri dhe Uresa Fusha.

Zanat e Vogla: Iva Uja, Nina Rrahmani, Malbora Bullatovci, Una Ahmeti, Zoi Ajeti, Rita Ukymeri, Nisa Miftari, Hana Maqedonci, Jara Krasniqi, Morea Abdyli, Dora Begolli, Jana Ibrahimi dhe Anika Ismaili. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme